Prenxhov: Komisioni parlamentar të shqyrtoj pretendimet për përgjime të paligjshme

Gazetar: Mihajllo Donev

Deputeti i VMRO-së Ljupço Prenxhov, i bëri thirrje Kryetarit të Komisionit për mbikëqyrjen e punës së Agjencisë së Sigurisë Nacionale dhe Agjencisë së Inteligjencës të caktojë një seancë urgjente për të hetuar pretendimet për përgjime të paligjshme. Sipas Prenxhovit, është e nevojshme që Komisioni të marrë autorizim sa më shpejt dhe të hyjë në këto institucione.

“Qëllimi është, në seancë, të merren parasysh dyshimet shqetësuese për sjellje të paligjshme në ASN, d.m.th., të përcaktohet një datë e saktë për vizitë zyrtare në Agjencinë e Sigurisë Nacionale, përmes së cilës do të kryejmë një inspektim të drejtpërdrejtë të situatës dhe një shqyrtim të plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me këto ngjarje. Këto zhvillime tashmë kanë shkaktuar shqetësim të fortë në publik dhe e minojnë demokracinë dhe besimin në institucionet e ngarkuara me mbrojtjen e sigurisë nacionale”, tha Ljupço Prenxhov, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Menjëherë pas kësaj kërkese, Skender Rexhepi nga foltorja e Kuvendit iu përgjigj se edhe pse është kryetar i Komisionit, ka një vit që është diskriminuar nga pushteti, nuk ka certifikatë sigurie dhe nuk do të caktojë seancë në të cilën në të vërtetë nuk do të kishte të drejtë të merrte pjesë. Sipas Rexhepit, një seancë e tillë mund të caktojë kryetari i Kuvendit.

“Ata kanë mundësi, kryetari i Kuvendit ka një mundësi të tillë për të mbledhur një komision, jashtë kompetencave të mia, ata tashmë e kanë bërë një herë gjatë vitit, le ta bëjnë të njëjtën gjë. Unë nuk do t’i ndaloj ata, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, por nuk do të bie në atë nivel, për t’u shërbyer njerëzve që do të mbikëqyrin përtej mundësisë sime. Nuk do t’ia lejoj vetes një gjë të tillë”, deklaroi Skender Rexhepi, Deputet nga Fronti Evropian.

Për deputetin e opozitës Oliver Spasovski, nuk ka asnjë dilemë se Kuvendi duhet të përcaktojë se kush ose nëse ai është përgjuar në mënyrë të paligjshme, dhe ai gjithashtu zbuloi se posedonte informacione nga mediat se ai ishte objektiv i përgjimit dhe tha se kjo nuk ishte befasi për të.

“Kjo nuk është asgjë e re, nëse më parë në vitin 2016 kishte një mori materialesh për opozitën, përfshirë edhe për mua, tani edhe unë kam marrë informacion nga mediat… Unë thjesht mendoj se publiku duhet të mësojë të vërtetën plotësisht, të ketë një transparencë në të gjithë këtë procedurë, të gjitha informacionet dhe të dhënat të deklasifikohen në bazë të procedurave që ka Agjencia e Sigurisë Nacionale, në bashkëpunim me prokurorinë e kështu me radhë, dhe të përcaktojë me saktësi – nëse janë hapur veprime operative, për çfarë janë hapur ato veprime operative, ndaj cilëve janë drejtuar ato veprime operative, e kështu me radhë, dhe duhet të ketë një herë e përgjithmonë përgjegjësi serioze”, u shpreh Oliver Spasovski, deputet i LSDM-së.

Këto ditë, vendi është tronditur nga një skandal i ri mbi përgjimet e paligjshme nga ASK në periudhën 2019- 2024, dhe se si kryeministri aktual Hristijan Mickoski, biznesmenë, ministra dhe gazetarë dyshohet se u ndoqën dhe përgjuan. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit tashmë ka hapur një rast në lidhje me këtë. Nga atje thanë se rasti është ende në procedure parahetimore dhe për momentin nuk mund të zbulohen më shumë informacione për publikun. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme