Në një njoftim të bërë dje nga Banka e Shqipërisë për masat e marra për periudhën e epidemisë, krahas uljes së normave të interesit, shtyrjes së afateve për pagesën e kredisë, banka ka folur edhe për paranë fizike.
Sipas bankës, shumë shpejt do të kemi edhe para të ‘madhe’ në qarkullim. Theksohet se këtë vit do të hidhen në qarkullim prerjet 1000 lekë dhe 10000 lekë.
Kujtojmë se në shtator të vitit 2019, pas nisi prerja e re e kartëmonedhave 200 lekëshe, një muaj më vonë edhe ajo e 500 lekëshit dhe 5000 lekëshit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kartëmonedhat e reja janë më rezistente, i përshtaten kohës dhe kanë më shumë elemente sigurie që të mos falsifikohen.
“Deri në datën 23.4.2020, paraja në qarkullim është rritur me 6.4 miliardë lekë krahasuar me 31.3.2020 dhe me 9.6 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2019. Në muajin prill 2020, paraja në qarkullim krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 5.7 miliardë lekë (6.4 miliardë kundrejt 0.7 miliardë) dhe nga fillimi i vitit është rritur me 9.4 miliardë lekë (9.6 miliardë kundrejt 0.2 miliardë në 2019).
Në plotësim të nevojave në perspektivë për para fizike, Banka e Shqipërisë po ndjek me prioritet procedurat për prodhimin e kartëmonedhave të serisë së re, prerjet 1000 lekë dhe 10000 lekë, të cilat do të hidhen në qarkullim brenda këtij viti”, thekson banka në njoftim.