President francez, Emmanuel Macron, vizitë zyrtare në Tiranë

Presidenti francez Emanuel Macron do të jetë në Tiranë në muajin maj, në vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri që korrespondon edhe me Samitin e Komunitetit Politik Europian të 16 Majit.


Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, gjatë takimit me Benjamin Haddad, ministër i Deleguar për Evropën.

Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Sipas Ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.

“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Ministri Hasani.

Pjesë e rëndësishme e takimit të sotëm ishte edhe Samiti i ardhshëm në Tiranë i Komunitetit Politik Evropian, një samit historik që do të organizohet në Tiranë më 16 Maj 2025. Ministri Hasani u shpreh se:

“Shqipëria ka privilegjin dhe nderin të mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës”.

Ndër të tjera, dy ministrat vlerësuan edhe angazhimin aktiv të Francës në Ballkanin Perëndimor, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. “Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Francës në promovimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt”, nënvizoi Ministri Hasani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme