Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhje për sulmin që e ka cilësuar si të ulët dhe qyqar ndaj zonjës Stavileci, bashkëshortes së ministrit Blerand Stavileci.
“Ky akt barbar nuk e shqetëson vetëm familjen Stavileci, por gjithë qytetarët tanë. Nga organet përkatëse kërkojmë që sulmuesit e dhunshëm sa më parë të dalin para drejtësisë”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, ka thënë se sulmi fizik ndaj bashkëshortes së ministrit Stavileci, që ndodhi sot, është akt i ulët, i papranueshëm për shoqërinë tonë.
“Asnjë motiv, nuk arsyeton sulmin ndaj një gruaje, ndjelljen e frikës dhe tmerrit ndaj një nëne, fëmijëve dhe familjes së saj. Akterët e veprimeve të tilla duhet ta gjejnë përgjigjen në organet e drejtësisë dhe në shtetin ligjor. Drejtësia nuk guxon të dorëzohet para dhunës dhe huliganizmit sepse edhe ajo, nëse qëndron indiferente, nesër rrezikon të bëhet viktimë e po kësaj dhune”, ka thënë Mustafa.