Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha sot se uniteti dhe integriteti territorial i Bosnjë dhe Hercegovinës kanë një rëndësi “themelore”, duke i quajtur “të papranueshme” qasjet separatiste në vendin ballkanik, transmeton Anadolu.
Erdoğan i ka bërë këto komente gjatë një takimi me dyer të mbyllura me Denis Beciroviqin, kryesuesin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, në zyrën presidenciale të Pallatit Dolmabahçe në Istanbul.
Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes, takimi është fokusuar në zhvillimet e fundit në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe çështje rajonale.
Erdoğan tha se ai po e ndjek nga afër situatën pas vendimit gjyqësor kundër Milorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnjë dhe Hercegovinës, Republika Sërpska (RS), dhe gjithashtu ka qenë në kontakt me udhëheqësit rajonalë.
Gjykata boshnjake muajin e kaluar e dënoi Dodikun me një vit burg dhe e ndaloi atë nga politika për gjashtë vjet për kundërshtimin e autoritetit të zyrtarit të lartë ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.
Pas vendimit, Asambleja Kombëtare e RS-së votoi për ndalimin e institucioneve shtetërore – duke përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, Zyrën e Prokurorisë, Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Agjencinë e Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) – nga veprimi brenda entitetit serb.
Dodik, i cili nënshkroi masat që kundërshtojnë Kushtetutën e Bosnjës, tha se ai nuk do të zbatonte thirrjet e gjykatës ose prokurorisë sapo ligjet e diskutueshme të hyjnë në fuqi, duke pretenduar se ai do të mbrohet nga policia e Republikës Sërpska.
Media kombëtare i ka quajtur veprimet “grusht shteti”, ndërsa Gjykata Kushtetuese e Bosnjës anuloi vendimet e tij të diskutueshme.
Gjatë takimit të sotëm, Erdoğan theksoi rëndësinë e shpërshkallëzimit të tensioneve brenda kornizës kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe sundimit të ligjit. Ai bëri thirrje për një konsensus të gjerë shoqëror për të ruajtur unitetin e vendit dhe hodhi poshtë përpjekjet separatiste.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan në mes të sfidave në rritje rajonale dhe globale të sigurisë dhe riafirmoi mbështetjen e Türkiyes për integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës.