Ukraina nuk mund ta rimarrë gadishullin e Krimesë, edhe pse Rusia ia mori përmes aneksimit në vitin 2014, kështu është cituar të ketë thënë presidenti i Republikës së Çekisë, Milos Zeman.
Rusia e aneksoi Krimenë, e cila përfshinë portin strategjik të Sevastopol ku flota e saj e Detit të Zi është vendosur, në vitin 2014, duke i bërë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian që të imponojnë sanksione ekonomike dhe politike ndaj kompanive dhe zyrtarëve të ndryshëm rusë, përcjell Express.
Zeman ka folur publikisht kundër sanksioneve të BE-së, si dhe është shprehur vazhdimisht në favor të pikëpamjeve të Rusisë.
Ai ishte lideri i vetëm perëndimor që mori pjesë në festimet e muajit maj të vitit 2015 në Moskë për të shënuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
“Në njërën anë pajtohem me ju se [lideri sovjet Nikita] Khrushchev e ka bërë një gjë të pafalshme dhe budallaqe, ndërsa politikanët botërorë e pranojnë sot se Krimea nuk mund t’i kthehet Ukrainës,” tha Zeman.
Ai nuk specifikoi se cilëve politikanë botërorë po iu referohej.
Khrushchev ia dha Krimenë Ukrainës, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik, në vitin 1954.