Pas javësh tensioni politik dhe civil që thuajse sollën shpërthimin e luftës civile dhe ndërhyrjen ushtarake të fqinjëve afrikanë, presidenti historik i Gambias, Yahya Jammeh pranoi humbjen në zgjedhje dhe arriti një marrëvëshje politike për t’u larguar nga vendi, duke i hapur rrugën rivalit të tij politik, Adama Barrow.
Por, duket se Jammeh nuk iku me duart bosh, pasi është zbuluar se mungojnë të paktën 11 milionë dollarë nga arka e shtetit, pas mbikqyrjes paraprake. Zëdhënës të Presidentit të ri, i cili e bëri betimin jashtë vendit, pasi rivali i tij nuk pranonte të linte postin, thanë se hetimet e mëtejshme ka mundësi të zbulojnë se gropa në buxhet është shumë më e madhe.
Pas 22 vitesh në pushtet, Yahya Jammeh, u detyrua të largohej, pasi vetë as që i shkonte mendja ta bënte, megjithëse humbi zgjedhjet. Hyrja brenda kufijve e ushtrive të tjera afrikane që ishin zotuar ta largonin me forcë, duket se ishte faktori kryesor që e bëri t’ia mbathte, por Jammeh nuk ka dyshim se iku si një njeri i pasur, megjithëse i mposhtur.
Zyrtarët e rinj të mbërritur në vend dhe që zbuluan zhdukjen e parave thanë se arkat e shtetit janë praktikisht bosh dhe se kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Financave dhe banka qendrore e vendit. Megjithëse autoriteteve të aeroportit kryesor të vendit i ishte thënë që të lejonin vetëm Presidentin të largohej dhe të mos merrte sende me vete, mediat raportojnë se veç valixheve pa fund, ai u shoqërua edhe një nga flotë makinash luksoze që u larguan bashkë me të drejt Guinesë Ekuatoriale, ku duket se ai do të shijojë një ekzil mjaft luksoz. /Sakte.net