Presidenti i vetëshpallur i Çamërisë, i vrarë ditë më parë, kishte ushtrinë e tij private në Holandë

Festim Lato, politikani shqiptar që u gjet i vrarë ditë më parë në kanalin Rijn të Amsterdamit, kishte ushtrinë e tij private në fshatin Gelderland të Afferdenit, ku edhe jetonte. Autoritetet holandeze ishin të vetëdijshme për këtë, por s’kishin intervenuar, ka raportuar mediumi holandez “Telegraaf” duke u thirrur në burime të veta.

Lato, 43 vjeç, ishte president i vetëshpallur i Çamërisë. Ai jetonte në një shtëpi fermë në Kerkdam në Afferden. Sipas gazetës, viteve të fundit ferma dukej si një kazermë e mbushur me forca të ushtrisë së ardhshme të Çamërisë të cilët qëndronin në krevate dykatësh në shtëpinë e Latos. Një burim i ka thënë “Telegraafit” se forcat e Çamërisë ishin ushtruar nga ushtarë nga Kosova.

Gjatë një kremtimi kohëve të fundit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, një paradë ushtarake u mbajt në kopshtin e Latos. Një video e publikuar në Facebook shfaq Laton duke inspektuar ushtarët në uniforma ushtarake, me fytyrat e ngjyrosura me ngjyra kamuflazhi. “Kjo është ushtria që po e ndërtoj”, i ka thënë Lato një ish-punëtori, sipas gazetës. Në Youtube mund të gjeni video teksa Latos shfaqet me armë të ndryshme automatike.

Komuna e Drutenit, e cila mbulon Afferdenin, ishte e njoftuar për prezencën ushtarake në komunë, ka konfirmuar për gazetën një zyrtar që deshi të mbetej anonim. I vetmi veprim që është ndërmarrë ka qenë një inspektim komunal në fermën e Latos, për të parë nëse po i përmbahej plani zonal për ‘strehim’. Ndërtesa ishte mbyllur për disa ditë me urdhër të komunës, pas së cilit rast ajo ishte përdorur thjesht si kazermë sërish, raporton “Telegraaf”, transmeton Koha.net.

Shkurtin e vitit 2018, videoja e paradës ushtarake e postuar në Facebook i ishte dërguar një detektivi special në policinë e Hagës. Ai shkëmbeu disa emaile me njerëzit përreth Latos, përfshirë një person që ka thënë se “ata dinë gjithçka” për Laton dhe ishin të gatshëm të flisnin. Por, sipas gazetës, asnjë veprim konkret nuk ishte ndërmarrë. Policia e Hagës kishte nisur një hetim për mashtrim vitin e kaluar, pasi dy prej partnerëve të biznesit të Latos e raportuan atë. Ata u ftuan në polici për intervistim, por “kurrë s’dëgjuam më asgjë prej tyre”, ka thënë ata për gazetën.

Një zëdhënës policie ka konfirmuar hetimet për mashtrim, dhe ka thënë se policia ka është e informuar për videon e paradës ushtarake, por nuk ka mundur të thotë se pse nuk është ndërmarrë asgjë rreth saj. Prokurori Publik dhe Komuna e Drutenit nuk janë përgjigjur ndaj pyetjeve të gazetës.

Një sipërmarrës holandez, që ishte prezent në paradën ushtarake, i ka thënë “Telegraafit” se ishte mrekulluar nga ushtria private në brendësi të Gelderlandit. “Se këtë e lejuan politikanët holandezë, nuk mundem ta kuptoj fare. Si ia doli Lato të bënte gjithë këtë? E shikoja me çudi”, ka thënë ai. “Por po, presidenti më premtoi se do të ndërtojë 210 kilometra rrugë të reja në shtetin e tij të ri, Çamëri. Për këtë do të ofroja 50 traktorë dhe 100 vinça, që secili prej tyre kushton rreth një çerek milioni euro. Dhe normalisht po e mendoja ta fitoja atë kontratë”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme