Presidentja e Estonisë, Kersti Kaljulaid, ka thënë se vendi që ajo udhëheq mbështet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si Interpol dhe UNESCO.
Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja e Estonisë tha se vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndihmojnë vendet si Kosova dhe Serbia që të ndjekin vlerat demokratike që posedon unioni.
“Marrëveshjet gjeopolitike janë më të mirat gjithmonë. Andaj, nëse Evropa dëshiron të mbrojë vlerat e saj, duhet t’i sjell këto vende sa më afër demokracisë. Ne duam t’i përfshijmë të gjitha vendet në këtë sistem demokratik me të cilin operojmë. Pa ndihmën e BE-së, këto vende nuk janë në gjendje të ndjekin këto vlera demokratike”, ka deklaruar ajo.
Për të tërhequr sa më shumë investime të kompanive nga Estonia, Kaljulaid deklaroi se Kosova duhet të angazhohet për sundim të ligjit.
“Duhet të keni institucione të fuqishme dhe sundim të ligjit, sepse kjo është gjëja e vetme që sjell zhvillim ekonomik. Përndryshe, kompanitë nuk guxojnë të investojnë përderisa nuk besojnë se me të vërtet interesi i tyre po mbrohet”, tha ajo tutje.