Gazetar: Suad Bajrami
7 persona janë falur nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova me rastin e festave të fundvitit. Njëri prej të dënuarve është falur plotësisht, ndërkaq gjashtë të tjerë pjesërisht. Në njoftimin e Presidencës nuk përmenden emrat.
VZRT: Presidenca
“Gjashtë persona të dënuar janë falur në kohëzgjatje prej tre muajsh, ndërkaq njëri preson tre muaj e katër ditë, që tek ai ka sjellë deri në lirimin e plotë nga mbajtja e dënimit me burg”.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova theksoi se po bisedohet për nevojën e miratimit të një ligji të ri për falje, ndërkaq për këtë paralajmëroi debat publik nga palët e përfshira.
“Komisioni për Falje do ta bëjë atë që në fakt ishte ide e komisionit paraprak. T’i ftojë anëtarët e komisioneve paraprake për atë që të shohim 30 vite më vonë se si kemi vepruar, me çka jemi përballur, cilat janë problemet. Pastaj të thirret një debat dhe ajo të jetë, për atë biseduam me ministrin e Drejtësisë, bazë për ligj të ri për falje. Ligji aktual, pas disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk është ligj në kuptimin e vërtetë. Nuk ka sistem, domethënë neve na duhet një ligj modern për falje në të cilin, e përsëris, thelbi do të jenë njerëzit, njerëzit e burgosur”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Falja e fundvitit, është e dyta e presidentes, por e para nga përbërja e re e Komisionit për falje e udhëhequr nga Millka Ristova dhe anëtarëve Oliver Baçanoviq, Aleksandra Gruevska Drakulevski, Blerta Ahmedi, Dragana Batiq, Afet Mamuti dhe Doan Sulejmanoski.
Në tetor, të vitit të kaluar pati reagime të ashpra në opinion për emrat e përfshirë në faljet e presidentes me rastin e festës së 23 Tetorit. Në mesin e dhjetë personave u gjetën emra si Shenoll Masllani, i cili para pesë vitesh ishte arrestuar për drogë, sulm ndaj një policit dhe armatim, por edhe Akif Ravmanovskit nga Haraçina, i cili është pjesë e grupit “Baron”, ndërkaq ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Por Ravmanovski vetëm 1 ditë e gëzoi faljen. Policia menjëherë pas faljes e arrestoi lidhur me incidentin e 14 tetorit të vitit të kaluar para Komunës së Çairit. Sipas policisë ai ka qenë dorasi që ka shtënë me armë zjarri ndaj një 35 vjeçari. Policia, ka dorëzuar padi penale për tentim-vrasje.
Ndonëse sipas procedurës, presidentja e ka fjalën përfundimtare për të falur, Siljanovska Davkova u arsyetua se vendimi ka qenë i Komisionit për Falje.
Për shkak të reagimit të ashpër në opinion, përbërja e atëhershme e Komisionit për Falje në krye me Metodija Kanevçevin u detyrua të japë dorëheqje kolektive.
Presidentja, menjëherë i pranoi dorëheqjet e tyre. Megjithatë, pavarësisht dorëheqjes së komisionit dhe reagimeve të ashpra, falja e presidentes nuk pati mundësi të tërhiqet, pasi sipas ekspertëve, kjo do të nënkuptonte cenim të sigurisë juridike dhe mund të hapë çështje para Gjykatës së Strasburgut. /Alsat.mk