Gazetar: Mihailo Donev
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në Sofje u takua me presidentin bullgar Rumen Radev. Bëhet fjalë për takimin e parë mes Davkovës dhe Radevit, i cili u zhvillua në zyrën e presidentit bullgar dhe pas të cilit nuk u organizua asnjë konferencë për media. Siç raportojnë mediat bullgare, gazetarët nuk janë ftuar të ndjekin takimin.
Para takimit të përbashkët, presidenti bullgar, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut, por theksoi se pret që pala maqedonase t’i përmbushë të gjitha detyrimet e marra ndaj Bullgarisë dhe BE-së.
“Është e vërtetë se muzika dhe kultura janë sfera që na bashkojnë dhe Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe presim që ky dialog jo vetëm të ndihmojë në afrimin tonë kulturor, por edhe i japin shtysë bashkëpunimit ekonomik. Presim që me këtë dialog përfundimisht të zgjidhen çështjet e hapura mes nesh. Marrëdhënia jonë do të bazohet në marrëveshjet tona. Presim që Republika e Maqedonisë së Veriut t’i përmbushë të gjitha obligimet ndaj nesh dhe ndaj Bashkimit Evropian. Ne ndjekim me përpikëri protokollin. Është radha ime të bëj vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Rumen Radev, President i Bullgarisë.
Presidentja Siljanovska-Davkova ndodhet për vizitë në Sofje me rastin e pjesëmarrjes së Operës dhe Baletit Nacional (OBN) në Operën dhe Baletin e Sofjes. Në delegacionin e Maqedonisë së bashku me presidenten janë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mutsunski dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov./Alsat.mk