Gazetare: Fatlume Dervishi
Ndotja në Shkup po thyen rekorde. Mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm, kryeqyteti ishte qyteti i pestë më i ndotur në botë dhe i pari në Evropë. Vetëm qytetet në Indi, Pakistan, Bangladesh dhe Nepal janë më të ndotura se Shkupi.
Ajri në Shkup është klasifikuar në grupin “i pashëndetshëm” dhe rekomandimet janë që të vendosen maska, të mos dilet në rrugë dhe të mos hapen dritare.
Autoritetet, si përpjekje për të ndërmarrë masa, prezantuan sot një projekt tjetër, për të cilin thonë se do të ndikojë dukshëm në uljen e ndotjes. “Avant car” ose “ndajë veturën” është projekti që do të mundësojë vetura të qasshme me pagesë për të gjithë në kryeqytet, të cilat do të mund të lokalizohen nëpërmjet aplikacionit, të përdoren nga qytetarët dhe të parkohen në vendet e tyre të caktuara.
“Gjithçka që ju duhet është një aplikacion në telefon i cili është çelësi për secilën veturë që do të jetë në rrugë. Ju thjeshtë e gjeni veturën që është e lirë, e rezervoni, e hapni, e vozisni veturën dhe kur përfundoni udhëtimin, e leni veturën në vendparkimin e caktuar për atë lloj veturash. Pagesa bëhet në mënyrë automatike nga kartela juaj bankare ose në ndonjë mënyrë tjetër dixhitale, përmes telefonit”, tha Matej Çer, Grupacioni Avant Car.
100 vetura të tilla tashmë janë në Shkup. Ata do të vendosen në 40 lokacione dhe do të zëvendësojnë 1500 vetura në trafik. Në shkurt të vitit të ardhshëm do të fillojë faza e testimit kurse në mars nis zbatimi i plotë i projektit. Autoritetet besojnë se një veturë e tillë zëvendëson 10-20 vetura kurse në vendet ku zbatohet me vite, në Austri, Slloveni dhe Kroaci, njerëzit kanë hequr dorë nga posedimi një veture të dytë ose të tretë në familje. Çmimi i udhëtimit do të jetë më i ulët se i taksisë.
“Çmimi final do të prezantohet në shkurt, përpara se të ja nisim. Mund të prisni që për një udhëtim çmimi të jetë 3-6 euro mesatarisht. Transporti prej në qendër të Shkupit deri në aeroport mund të jetë brenda 10 dhe 15 eurosh”, tha Matej Çer, Grupacioni Avant Car.
Ministria e Ekologjisë dhe ajo e Energjetikës mirëpresin investimin.
“Nënshkrimi i letrës së qëllimeve për të mbështetur sistemin elektrik car-sharing paraqet aksion konkret për të zgjidhur një nga sfidat konkrete me të cilat përballemi, ajrin e ndotur. Kjo është një mundësi drejt një Shkupi më të shëndetshëm dhe më ekologjik që të mundësojmë që ai të jetë një qytet që kujdeset për qytetarët e vet”, u shpreh Izet Mexhiti, ministër i Ekologjisë.
“Kjo nuk është vetëm teknologjinë dhe infrastrukturën. Bëhet fjalë për njerëzit. Bëhet fjalë për të siguruar ajër më të pastër, reduktim të kaosin në trafik dhe mundëson transport të rregullt dhe modern për të gjithë”, theksoi Sonja Bozhinovska, minister e Energjetikës.
Projekti do të kompletohet në vitin 2030 me 1000 vetura në qarkullim të cilat pritet të zëvendësojnë 15000 vetura private në trafik.
Çmimi final do të prezantohet në shkurt
Një udhëtim 3-6 euro mesatarisht
Transporti nga Shkupi në Aeroport 10-15 euro
30 milion euro investim deri në fund
Energjia, nga burime të riparueshme