Kompania e njohur Lexus në panairin e sivjetmë në Pekin ka prezantuar gjeneratën e re, të shtatën, të modelit ES (Executive Sedan), për të cilën japonezët janë të bindur se do të transformohet në mënyrë radikale në një koncept të rehatisë për blerësit e veturave luksoze.
Lexus ES i ri është i ndërtuar në platformën e re NGA-K (New Global Architecture-K) dhe karakterizohet me peshë më të ulët, vozitje më të mirë, më shumë hapësirë në interier dhe ekran 12.3-inç të sistemit infotainment deh Touch Pad.
ES i ri, po ashtu, është më i gjatë për 65 centimetra për dallim nga paraardhësi (tani është 4.9 metra), më i gjerë për 45 centimetra dhe boshtin e rrotave më të gjatë për 50 centimetra.
Për blerësit do të jetë në dispozicion edhe versioni F-Sport, i cili do të vijë me spoiler të pasmë, detajet e errët në eksterier, rrotat nga alumini prej 19-inç dhe interier sportiv, transmeton Koha.net. Po ashtu, në dispozicion do të jenë edhe dy ngjyra të veçanta – e kaltër dhe e bardhë.
Varësisht nga tregu, ES i ri do të ofrohet në version ES 300h (versioni hibrid, kombinim i motorit benzinë 2.5-litër dhe motorit elektrik, në total me 218 kuajfuqi dhe shpenzim të karburantit mesatarisht 4.7-litra në 100 kilometra), në version ES 350 (me motor benzinë 3.5-litër V6 e kapacitet prej 250 kuajfuqi), si dhe në version ES 250 (me motor benzinë 2.5-litër me gjashtë cilindra).
Gjithashtu, ES i ri vjen edhe me marshin e ri automatik Direct Shift me tetë shpejtësi.
Lexus ES i ri në tregun amerikan do të shfaqet në gjysmën e dytë të këtij viti, ndërsa do të prodhohet në fabrikën e Toyotës në Kentucky, ku prodhohen Toyota Camry dhe Avalon.
Sa i përket Evropës, ES i ri në treg praktikisht do të zëvendësojë modelin GS i cili së shpejti do të ndalet së shituri për shkak të kërkesës së ulët.