Prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve tashmë do të mund të përcjellin çdo sukses dhe aktivitet që nxënësit kanë arritur në procesin mësimor. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se kjo bëhet e mundur përmes aplikacionit për ditarin elektronik të cilin prindërit mund ta shkarkojnë nga faqja e internetit të Ministrisë së Arsimit ose edhe të asaj të ditarit elektronik. Siç sqaroi Janevska, aplikacioni mundëson vështrim në orarin dhe përmbajtjen e orëve mësimore të nxënësve, mungesat e arsyetuara dhe të paarsyetuara, detyrat e shtëpisë, notat e marra dhe dëftesat e lëshuara. Ministrja gjithashtu theksoi se të gjitha të dhënat që janë futur në ditarin elektronik, arkivohen dhe përdoruesi i aplikacionit ka pasqyrë për të dhënat nga viti aktual, por edhe nga çdo vit shkollor i mëparshëm.
“Tani më kemi testuar dhe verifikuar funksionalitetin e aplikacionit. Jam e sigurt se do të jetë shumë i dobishëm, sepse nuk ka prind apo kujdestar që nuk është i interesuar të ndjekë dhe të marrë pjesë në arsimimin e fëmijës së tij. Përgjegjësia për edukimin e të rinjve është e përbashkët dhe e njëjtë si për institucionet po ashtu edhe për familjet e nxënësve”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës. /Alsat.mk