Në Pallatin e Rinisë është inauguruar zyrtarisht “Biblioteka e Fëmijëve”, një hapësirë moderne e dedikuar leximit, kreativitetit dhe zhvillimit kulturor të më të vegjëlve. Me rafte të mbushura me libra, kënde leximi dhe ambiente të përshtatura për aktivitete edukative, biblioteka synon të shndërrohet në një pikëtakim të ri për fëmijët e kryeqytetit.
p>Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe prindër e fëmijë.
“Biblioteka tash po kthehet me fokus te fëmijët tanë, te më të mirët tanë, sepse ata janë e ardhmja e këtij vendi dhe kanë rëndësinë më të madhe në komunitetin tonë. Së bashku me fëmijët po i bëjmë ëndrrat tona realitet”, deklaroi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, e cilësoi projektin si një investim të drejtpërdrejtë në arsim dhe zhvillimin e fëmijëve.
“Gjithçka varet nga ne. Duke investuar në fëmijët tanë, në arsimimin e tyre dhe në të ardhmen e Kosovës, ne po ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Siç ka thënë Kofi Annan: ‘Nuk ka armë më të fortë në botë sesa arsimi’”, tha Dietz.
Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, theksoi se fëmijët janë arsyeja kryesore e kësaj nisme.
Sipas iniciuesve të projektit, ideja për krijimin e bibliotekës lindi tre vjet më parë. Biblioteka do të funksionojë si pjesë e rrjetit të bibliotekave të qytetit dhe do të jetë e hapur për të gjithë fëmijët e Prishtinës.




