Prishtinë: Jep dorëheqje u.d i drejtorit të Telekomit dhe zyrtari kryesor financar

Zeqir Kiqina ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit të Telekomit të Kosovës. Ndërsa, nga pozita e u.d Zyrtarit Kryesor Financiar dhe i Thesarit, ka dhënë dorëheqje, Agim Matoshi, raporton Gazeta Express.

Në vend të Kiqinës është emëruar Burbuqe Hana.

 Sipas një njoftimi për media nga Telekomi, thuhet se dorëheqja e Kiqinës nga kjo pozitë është bërë për arsye shëndetësore.

“Z.Kiqina do të ketë gjatë kësaj jave një operim të rekomanduar nga mjeku dhe e ka qenë pamundur që të vazhdoj tutje me udhëheqjen e kompanisë dhe me qëllim që mos ketë asnjë ngecje në menaxhimin e saj ai ka kërkuar nga bordi që të lirohet nga kjo pozitë. Bordi i Drejtorëve ka votuar në mënyrë unanime për dorëheqjen e tij dhe i ka uruar atij shërim të shpejt. Gjithashtu bordi ka falenderuar Z.Kiqina për kontributin e dhënë në menaxhimin e kompanisë në këtë kohë të vështirë pandemike”, është thënë për media.

Po në këtë mbledhje është aprovuar edhe dorëheqja e u.d e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit  Agim Matoshi.

“Bordi po ashtu ka falenderuar Z.Matoshi për kontributin e dhënë në menaxhimin e kompanisë në këtë kohë të vështirë pandemike. Dy zyrtarët e lartë të kompanisë konfromë proceduarave të brendshme do të kthehen në pozitat që kanë pasur më heret. Gjithashu Bordi i Drejtorëve me vendim unanim ka emëruar si u.d i Kryeshefit Ekzekutiv Znj.Burbuqe Hana dhe në pozitën e u.d të Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit z.Feim Kelmendi”, thuhet për media./Express/