Pritet ndryshimi i Ligjit për Veteranët

Buxheti prej 38 milionë eurove, i ndarë për veteranët për vitin 2017, konsiderohet i pamjaftueshëm për t’i rehatuar ish-guerilët e pensionuar të UÇK-së.

Megjithatë, Qeveria dhe Organizata e Veteranëve janë duke bërë përpjekje për ta arritur një marrëveshje për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Veteranët, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht.

Kështu, në bazë të këtyre ndryshimeve pritet të bëhet një kategorizim i veteranëve, si dhe që t’u mundësohet atyre, të cilët janë të punësuar në sektorin privat, të marrin edhe 50 për qind të pensionit të veteranit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës me pajtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka vendosur që të ndajë një buxhet prej 50 milionë eurosh për kategoritë e dala nga lufta, 38 milionë prej të cilave janë për veteranët.

Sipas tij, kjo shumë nuk është e mjaftueshme nëse merren për bazë kriteret aktuale të ligjit, megjithatë, sipas tij, kjo shumë mund të shkojë deri në 45 milionë.

“Në qoftë se marrim kriteret e tanishme të ligjit, ky buxhet prej 38 milionëve nuk është i mjaftueshëm që t’i përmbushim nevojat e tyre, sepse çdo ditë po rritet numri i tyre. Tani e disa ditë jemi në biseda me udhëheqësin e Organizatës së Veteranëve për të gjetur një zgjidhje. Është kërkesa e FMN-së që ne mund të ndajmë deri në 0,7 për qind të Bruto Produktit Vendor (GDP) për veteranët që në përmasat e sotme ai do të ishte rreth 45 milionë euro. Pastaj ashtu siç rritet GDP-ja rritet shuma absolute”, ka deklaruar Mustafa, shkruan “Zëri”.

Ai më tej ka bërë të ditur që bëjnë përpjekje këtë kriter ta harmonizojnë me Organizatën e Veteranëve në mënyrë që të mundësohet njëlloj kategorizimi.

“Pastaj shpërndarjen e brendshme ta bëjnë sipas vlerësimeve që i kanë, qoftë në aspektin e kohëzgjatjes, pjesëmarrjes së tyre në luftë, qoftë në atë të fazave të ndryshme të pjesëmarrjes dhe të mundësojmë që ata të kenë të drejtë që të marrin 50 për qind të kësaj shume, në qoftë se janë në marrëdhënie pune në sektorin privat, për të mos i privuar nga e drejta e marrëdhënies së punës”, ka shtuar Mustafa.