Reagime të mëdha në Kosovë ka pasur aplikimi i taksës në “Rrugën e Kombit” nga shteti shqiptar.
Kostoja e papërballueshme, jo rrallë herë kishte shkaktuar pakënaqësi jo vetëm tek kosovarët, mirëpo edhe tek shtetasit e veriut të Shqipërisë.
E kosovarët së shpejti pritet të paguajnë biletë edhe për autostradat në territorin e Republikës së Kosovës.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga ministria e Infrastrukturës.
Zëvendësministri, Rexhep Kadriu thotë se aplikimi i taksës në autostradat e Kosovës nuk pritet të fillojë këtë vit.
Siç thotë ai, fillimisht duhet të kryhet studimi i fizibilitetit.
“Jemi duke punuar në studimin e fizibilieteti në vendosjen e biletave për pagesë të autostradave. Faktikisht nuk do të ndodh këtë vit, vitin e ardhshëm të shohim se deri ku po mbërrijmë në këtë situatë me kry studimin e fizibilitetit dhe me pa sa do të jetë kostoja”, thotë Kadriu për lajmi.net.
Sidoqoftë, nga ministria e Infrastrukturës premtojnë se kostoja nuk do të jetë sa ajo e “Rrugës së Kombit”.
Sipas tyre, do të shkohet me kosto minimale për mbulimin e shpenzimeve të mirëmbajtjes.
“Kurrsesi nuk do të jetë sa e Rrugës së Kombit, ne do të shkojmë me kosto minimale sa të mbulojmë shpenzimet e mirëmbajtjes”, thotë Kadriu.
Taksa në “Rrugën e Kombit”, si efekt zingjiror ka shkaktuar edhe rritjen e çmimit të biletave të udhëtimeve nga Kosova në Shqipëri.