Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia në Prizren, ka bërë arrestimin e një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Njësia për Hetimin e Trafikimi me Narkotikë në Prizren, pas marrjes së një informacioni se një person i dyshuar po transportonte substanca narkotike, në bashkëpunim me Njësinë e Autostradës kanë ndaluar automjetin Citroën, të cilin e drejtonte i dyshuari i cili duke mos respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.
Falë reagimeve dhe veprimeve profesionale të zyrtarëve policorë është arritur të ndalohet i dyshuari dhe të sekuestrohet substanca narkotike.
I dyshuari i arrestuar në këtë rast është: E. R. lindur me 1992 m/sh/k.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake në Prizren është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, me ç’rast janë gjetur dhe janë sekuestruar si prova materiale: një pushkë gjahu, 31 plumba, një automjet Citroen, dy telefona mobil, dy paketime, në të cilat gjendet një substancë e dyshuar për narkotikë me një peshë totale prej 30 kg e 920 gramë.
Me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor në stacionin policor në Prizren.