Shteti i Kosovës ia ka njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale Pranverës nga Gjakova, 19 vjet pasi që ajo ishte përdhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe, gjatë luftës në Kosovë.
Pranvera (identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) për shumë vite është shfrytëzuese e ndihmës psiko-sociale, të cilën ia ofron shoqata “Medica Gjokova“ nga qyteti i Gjakovës.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, pas gjashtë muajsh pritjeje, asaj i është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale. Rrjedhimisht, ajo e ka fituar edhe të drejtën për pension prej 230 eurosh.
“E kam marrë pensionin prej shtatorit. Kjo do të thotë shumë për mua, sepse jetoj nga ai pension dhe i rris dy fëmijët e mi. Por, e rëndësishme është që na është njohur statusi i viktimës seksuale. Jam e kënaqur që e kemi mbështetjen e shoqatës, por tash edhe të shtetit. E kemi përkrahjen edhe nga familja, por më së shumti nga organizata. Por, për ne, para së gjithash, është e rëndësishme që ata që e kanë bërë këtë krim, të ballafaqohen me drejtësinë“, thotë Pranvera për Radion Evropa e Lirë.
Panvera shpreson që edhe grave të tjera, të cilat kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, sa më parë t’iu pranohet statusi.
Çështja e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka qenë temë tabu deri në vitin 2014, kur Kuvendi i Kosovës ka vendosur që viktimave të dhunës seksuale t’iu rregullohet statusi me ligj dhe t’iu mundësohen përfitime të caktuara, e ndër të tjera edhe pensioni.
Me vonesë prej disa vitesh është formuar edhe Komisioni qeveritar për verifikimin dhe pranimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, puna e të cilit ka nisur që nga shkurti i vitit 2018.
Por, nga sektori civil ka vlerësime se ky proces po rrjedh ngadalshëm dhe se viktimat e dhunës seksuale po e humbin besimin, ndërkohë që dokumentimi i asaj që u ka ndodhur është mjaft problematik.
Në Komisionin qeveritar përkatës thonë se për pranimin e statusit të viktimës së përdhunimit seksual në Kosovë janë shqyrtuar më shumë se 500 aplikime.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është pranuar në 336 raste, por në 130 raste të tjera, aplikimet janë refuzuar.
Është thënë se ekziston mundësia që disa raste mund të shqyrtohen sërish, ndërsa për raste të caktuara ende pritet dokumentacioni shtesë ose intervistimi.
Mirlinda Sada, e cila drejton shoqatën “Medica Gjakova“, thotë për Radion Evropa e Lirë se pranimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale është mjaft i rëndësishëm, sepse me këtë, shteti, por edhe shoqëria, pas heshtjes prej shumë vitesh, e pranojnë atë që ka ndodhur.
Ajo thekson se procesi i verifikimit të statusit po zhvillohet krejtësisht mirë, por, sipas saj, ekziston vonesë në punën e Komisionit.
Siç thotë ajo, për aplikimet që kjo organizatë i ka bërë në emër të disa viktimave për pranimin e statusit, përgjigjet i ka marrë një vit pas dorëzimit të dokumentacionit.
“Këto vonesa janë duke na shkaktuar problem apo huti te vetë të mbijetuarit. Është vështirë kur, për shembull, kërkohen dokumentet origjinale mjekësore. Dihet që në vitin 1999 ka qenë shumë vështirë, duke pasur parasysh stigmën dhe gjendjen familjare të secilit prej të mbijetuarve, që nuk kanë dashur të lënë gjurmë. Por, edhe nëse kanë shkuar në vizitë te mjeku, dokumentet nuk kanë mundur t’i ruajnë, sepse ka qenë problem që të ruhen“, thotë Sada.
Ajo shton se organizata që drejton, i ka dosjet e secilës grua që ka qenë shfrytëzuese e shoqatës së tyre, por, sipas saj, problemet paraqiten kur gratë që nuk janë shfrytëzuese të ndihmës së shoqatës, paraqiten për pranim të statusit.
Minire Begaj-Balaj, kryesuese e Komisionit qeveritar për verifikimin dhe pranimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky proces është mjaft i ndjeshëm.
Sipas saj, rastet mund të refuzohen në qoftë se nuk përmbushen kushtet formale – juridike dhe komisioni nuk bindet.
“Ne, normalisht, gjithmonë, secilit rast ia japim kohën e duhur, derisa të vendosim qoftë pozitivisht, qoftë negativisht. Jemi të vetëdijshëm që është proces goxha kompleks dhe i ndjeshëm. Në fund fare, duke i ndjekur të gjithë hapat, deri në dokumentim, në intervista… rasti refuzohet në ato rrethana kur komisioni me të vërtetë nuk bindet që dhuna seksuale e pretenduar nga pala, ka ndodhur. Do të thotë, duke i përcjellë të gjithë këta hapa, vijmë në një gjykim që të refuzojmë“, thotë Begaj-Balaj.
Ajo shton se Komisioni është i vetëdijshëm për vështirësitë lidhur me dokumentimin dhe argumentimin e dhunës seksuale. Për këtë shkak, sipas saj, Komisionit i është lejuar me ligj që të intervistojë personat, në mënyrë që të realizohet komunikimi i drejtpërdrejtë me ata persona.
“Nuk është e lehtë për të vendosur ose për të përfunduar një lëndë, qoftë pozitivisht, qoftë negativisht. Kur them që nuk është e lehtë, po konsideroj që ne jemi duke e trajtuar një proces të traumës”.
“Në asnjë rrethanë, si Komision, nuk do të lejojmë që të dëmtohet pala. Për ne, gjithçka që bëhet, e gjithë kjo punë, e gjithë kjo ndjeshmëri, bëhet për hir të palës, sepse ne edhe ashtu jemi të mandatuar të punojmë për këtë kategori“, thotë Begaj-Balaj.
Megjithatë, ajo shton se në vonesat e procesit ndikon dorëzimi i dokumenteve shtesë, për të cilat, jo rrallë, pritet me muaj. Sipas saj, Komisioni kryesisht kërkon dokumentacionin që përmendet me rastin e lajmërimit.
“E di që ekziston një lloj presioni dhe kërkohet që të vendosim më shpejt, por nuk mundemi. Ne, si Komision, jemi duke u munduar që të jemi shumë objektivë ndaj këtyre rasteve. Ne nuk guxojmë të bëjmë dëm më shumë, ne nuk guxojmë të krijojmë traumë, por duhet të jemi shumë objektivë në raport me ligjin“, shprehet Begaj-Balaj.
Ndonëse nuk ka numër të saktë të evidentuar të rasteve të dhunës seksuale, besohet se të tilla kanë qenë rreth 20 mijë.
Raporti i organizatës Amnesty Iinternational tregon që gratë dhe vajzat shqiptare kanë qenë të përdhunuara nga ana e policisë serbe, forcave paramilitare dhe ushtrisë jugosllave. Disa gra kanë lajmëruar se kanë qenë disa herë të përdhunuara dhe nga shumë persona.
I njëjti raport thekson se, përveç dhunës seksuale, ndaj atyre grave është ushtruar sjellje johumane, duke i poshtëruar, duke i prerë me thikë, duke i fikur cigaret në trupat e tyre ose duke i fotografuar ato. Disa prej tyre kanë qenë të mbyllura për ditë të tëra në shtëpi të caktuara, ku kanë qenë objekte të dhunës.
Në anën tjetër, Kombet e Bashkuara, në raportin e tyre të fundi për dhunimet gjatë konflikteve, Kosovën nuk e përmendin fare. Lidhur me këtë ka reaguar Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, e cila tash e dy dekada merret me viktimat e dhunës seksuale.
Kjo Qendër ka thënë se përfshirja e Kosovës në këtë raport, si dhe e të dhënave për dhunën seksuale do t’i kontribuonte luftës kundër paragjykimeve dhe stigmatizimit, me të cilat po ballafaqohet kjo kategori e shoqërisë.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë e deri më tash nuk ka pasur asnjë të dënuar për krimin e dhunës seksuale.