Së paku edhe pesë vjet do t’i duhen Agjencisë Kosovare të Privatizimit për të përmbyllur procesin e shitjes së të gjitha ndërmarrjeve shoqërore.
Drejtues të këtij institucioni kanë thënë se janë dakorduar me Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, që periudha prej 5 vjetësh është reale për ta përmbyllur privatizimin edhe të rreth 55 për qind të aseteve të mbetura.
Kjo pasi Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka kërkuar nga AKP-ja që të kompletojë Strategjinë për përfundimin efektiv të procesit të privatizimit me kosto racionale në interes publik, duke përfshirë edhe çështjen e tokave në pronësi shoqërore, brenda një periudhe të arsyeshme kohore.
Kryeshefi ekzekutiv i AKP-së, Ekrem Hajdari, ka thënë për gazetën se institucioni që drejton tashmë ka përpiluar edhe planin strategjik për përmbylljen e procesit të privatizimit brenda periudhës pesëvjeçare. Edhe pse AKP-së i janë dashur 15 vjet për të privatizuar 45 për qind të të gjitha aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, sipas tij pjesës së mbetur i nevojiten 5 vjet.