Qytetarët kanë ngritur alarmin se në treg po shiten produkte vendëse me barkod të Serbisë. Javën e kaluar është gjetur se uthulla e prodhuar në Prizren është nxjerrë në treg sikur të ishte e shtetit fqinjë.
Gazeta Fjala ka siguruar dëshmi se kompania “Eurofood”, po prodhon këtë produkt me dy barkode. Njërin për Kosovë e tjetrin për Serbi.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka konstatuar se ky është mashtrim i qytetarëve dhe ka urdhëruar largimin e produktit nga tregu.
“Pas marrjes së informatës nga Gazeta Fjala, Inspektorati i Tregut i MTI-së menjëherë ka dalë në terren me dt.25.04.2017, ku kemi inspektuar Operatorin Ekonomik “Euro Food.” Inspektorati i Tregut e ka urdhëruar Operatorin Ekonomik që këtë produkt ta tërheq menjëherë nga tregu”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për media të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.
Ndërkaq, në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se i vetmi barkod me të cilin njihen prodhimet vendëse është 390.
Sipas tyre, ligji nuk lejon që prodhimet vendëse të shënohen me kode të shteteve tjera.
“Ne jemi institucioni i vetëm që lëshojmë barkode. Deri tani kemi lëshuar mbi 1 mijë sosh. Asnjëherë nuk kemi pas problem me barkode. Rasti në fjalë nuk është i lejuar të ndodhë”, ka thënë Gerxhaliu
Në kompaninë Eurofood, kanë pranuar se një sasi e uthullës është nxjerrë në treg, sipas tyre gabimisht pasi kishte qenë e destinuar për shtetin fqinjë.
“Artikullin e kontestuar – uthullën kompania prodhon për tregun vendor me bar kod 3900270460054 si dhe për tregun e Republikës se Serbisë. Nga pakujdesia e personave gjegjës, një sasi e vogël e dedikuar për tregun e Republikës se Serbisë është plasuar ne disa pika shitëse në territorin e Republikës se Kosovës”, thuhet në përgjigjet e kësaj kompanie.
Megjithatë nga kompania nuk kanë sqaruar sesi është e mundur që të përdoret barkodi i Serbisë, për të eksportuar në këtë shtet.
“Menjëherë pas marrjes se informatës se pare për këtë lëshim, ekipet e kompanisë janë vënë në aksion që të kontrollojnë pikat shitëse në territorin e Kosovës dhe brenda ditës një sasi e vogël e gjetur në pikat shitëse janë tërhequr nga shitja”.
Për këtë lëshim, siç e quan Eurofood, drejtuesit e kompanisë i kanë kërkuar falje konsumatorëve./Insajderi.com