Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajiq, ka deklaruar se mallrat serbe janë prezente në Kosovë dhe se ato po hyjnë edhe në mënyra tjera alternative.
Sipas tij zyrtarët në Serbi kanë tërhequr vërejtjen për rritjen e kontrabandës menjëherë pasi që Prishtina zyrtare kishte vendosur masën e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
I pari i Tregtisë në Serbi ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë:
“nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntori i vitit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur disa herë se mospezullimi kësaj mase nga autoritetet e Kosovës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.