Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është zyrtare për sa kohë që e njëjta njihet si gjuha e 20 përqindëshit. Kështu vlerëson profesori Xheladin Murati sipas të cilit, pavarësisht obligimit ligjor, Institucionet gjuhën e respektojnë sipas qejfit të tyre, shkruan Alsat.
“Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gjuha Shqipe është në përdorim zyrtarë sipas qejfit. Gjuha shqipe nuk ekziston në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Ekziston si gjuhë e 20 përqindëshit. Së treti, shqiptarët nuk janë shtet formues në Maqedoninë e Veriut, i cili status e zgjidh edhe çështjen e gjuhës. Koncepti i përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe nuk është i përsosur, sepse nenet përbërëse të ligjit nuk janë të përsosura dhe nuk janë koncize”, tha Xheladin Murati – ekspert.
Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela, tha se ka Institucione në vend që nuk i kushtojnë rëndësi zbatimit të gjuhës shqipe. Ai kërkon nga Inspektorati të jetë më vigjilent dhe të shqiptojë sanksione.
“Ka drejtues institucionesh të cilët nuk e vendosin në plan të parë, nuk I japin rëndësi gjuhës shqipe, nuk e zbatojnë atë. Prandaj ato që kanë bërë ligjin, e kanë menduar, sepse ne nuk jetojmë në Zvicër dhe as në Austri, por jetojmë në Ballkan. E kanë menduar se nëse një drejtues institucioni nuk do ta zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, prandaj ka sanksione”, u shpreh Ylber Sela – drejtor i AZGJ-së.
Zv. Ministri i Arsimit Lulzim Aliu apeloi që Agjencia dhe Inspektorati të bëjnë me përpikëri punën e tyre.
“Mendimi im ka qenë gjithmonë se gjuha shqipe është avancuar në masë të madhe, por nuk është bërë zyrtare në nivel të shtetit. Apeli im është që çdo institucion të përmbushë detyrat dhe obligimet që i ka. Edhe Agjencia edhe Inspektorati, por edhe çdo institucione që është I detyruar për të zbatuar përdorimin e gjuhës shqipe”, theksoi Lulzim Aliu- zv.ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Në panel diskutimin e sotëm u ngrit shqetësimi për arsimin në gjuhën amë, duke theksuar se duhen bërë përpjekje që edhe qytetarët romë dhe vlleh të fitojnë këtë të drejtë./ alsat.mk