Profesori jep detaje për takimin në Shtëpinë e Bardhë: Kosova e papërgatitur për Planin B, ja çfarë i tha Skender Hyseni Avdullah Hotit

Marrëveshja e nënshkuar në SHBA, në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës, SHBA-së dhe Serbisë, për Kosovën po konsiderohet që, përveç njohjes nga Izraeli nuk përfituar asgjë tjetër.

Profesor dr. Enver Bytyçi thekson se heqja e pikës dhjetë duhej të çonte në rifomrulimin e marrëveshjes, por që kjo nuk ndodhi pasi që, delegacioni i Kosovës nuk ishte i përgatitur për Planin B.

“Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë – Uashington më 4 shtator midis Kosovës dhe SHBA-së dhe midis Serbisë dhe SHBA-së është një marrëveshje nga e cila kishte përfitime presidenti Trump në fushatën e tij elektorale dhe disa përfitime e njëkohësisht humbje Serbia. Kosova nuk ka përfituar praktikisht asgjë, përveç njohjes nga Izraeli. Të gjitha çeshtjet e adresuara në atë marrëveshje janë adresuar në marrëveshjet e Brukselit prej vitit 2013 e këtej dhe prapë jemi këtu ku jemi. Ndërsa kjo marrëveshje nuk duket të jetë aq obliguese sa ato të Brukselit, sepse secila palë, sidomos serbët do të bëjnë interpretime, të cilat do ta bllokojnë ndonjë sukses të vogël të Kosovës në ndonjë aspekt”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, kartaktaristikë e marrëveshjes është njëanshmëria.

Sipas tij, ajo ishte konceptuar si një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe në të përfshihej angazhimi i Serbisë për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

ImageProfesor dr. Enver BytyçiFOTO GALERI
“Por marrëveshja mori karakter tjetër në momentin që kjo pikë u hoq me kërkesën këmbngulëse të presidentit serb. Amerikanët e hoqën atë pikë. Por sjellja diplomatike e tyre, duke e detyruar Vuçiç të ulej para presidentit si nxënësi para mësuesit, ishte një paralajmërim për Serbinë. Heqja e pikës dhjetë duhej të çonte në riformulimin e marrëveshjes. Por kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi, sepse delegacioni i Kosovës nuk ishte i përgatitur me një Plan B, se çfarë duhej të kërkonte në një rast të tillë. Abdullah Hoti u gjend në rrëmijë mendimesh. Ndihmësi i tij, Skënder Hyseni, jo vetëm nuk e ndihmoi, por e ngatërroi edhe më keq, duke i sugjeruar se “s’ka gjë, ne nuk duhet të reagojmë. Nëse sot nuk flitet për njohjen, nesër do të ndodhë. Duhet të jemi të lumtur që jemi në Shtëpunë e Bardhë” e të tjera përralla serbe për kryeministrin e Kosovës”, potencon profesori.

Profesori thekson se, kryeministri Hoti i beson Skënderit, sepse i beson Isës dhe Hashimit.

“Dhe kur drejtimin e vendit e zhvillon duke u mbështet te besimi te tjerët, atëherë e përjashton mundësinë që të jesh vetëvetja, që të sjellësh diçka pozitive në dobi të vendit tënd. Fatkeqësisht Hoti është një amalgamë në personalitetin e tij. Nuk është vetëvetja. Nuk ka guximin të jetë i tillë. Është pak Skënder, pak Isë, pak Hashim, pak Albin, pak Ramush, madje edhe pak Vjosë. Një kryeministër i përgjegjshëm duhej të kishte krijuar dosjen e provokimeve serbe gjatë gjitha historisë mbi 20 vjeçare të dialogut me Beogradin. Në këtë dosje duhet të pasqyroheshin të gjitha ndërhyrjet, kundërshtitë dhe artificet provokuese të delegacionit serb si në bisedimet teknike edhe në ato politike. Pasi ta ketë krijuar këtë dosje duhet ta kishte lexuar 20 herë dhe ta mësonte përmendësh. Po të bëhej kjo do të dihej se presidenti serb nuk do e pranonte klauzolën e njohjes së Kosovës. Nëse do të dihej, do të duhej të kishte një draft rezervë të marrëveshjes për ta paraqit në Uashington e të thoshte: “Ok, ne e heqim këtë këtë të marrëveshjes, por në këtë rast marrëveshja bie, sepse e gjitha është ndërtuar referuar asaj pike. Në vend të kësaj marrëveshje ne propozojmë një marrëveshje tjetër”! Në këtë rast mikpritësit do të viheshin në sedër. Ose do detyroheshin ta ruanin pikën e obligimit për njohje, ose do të pranonin propozimet e delegacionit të Kosovës”, vlerëson tutje ai.

Prandaj Bytyçi marrëveshjen e konsideron jo funksionale, jo valide, duke shtuar se, edhe për Serbinë është e vështirë të realizohet obligimi që ka marrë për ta transferuar ambasadën e saj në Jeruzalem.

“Se është e vështirë, këtë e shprehu Vuçiç në reagimin e tij në momentin e nënshkrimit. Por e shprehu edhe dje kur i kërkoi Tel Avivit të mos e njohë shtetin e Kosovës. Dukej qartë se Serbia dëshiron ta kushtëzojë transferimin e ambasadës së saj në Jeruzalem me mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e qeverisë izraelite. Kjo do të thotë se problemet kanë filluar ende pa u tharë boja e kësaj marrëveshjeje. Më pas, nuk dihet se kush do të jetë president i SHBA-ve pas 3 nëntorit, Trump apo Biden? Nëse nuk arri të zgjidhet Trump, menjëherë gjithçka bëhet null. Delegacionit të Kosovës u rroftë më pas se me këtë akt dobësoi besueshmërinë e tij te partnerët amerikanë. Marrëveshja ishte ndërhyrje në fushatën elektorale të SHBA-ve. Ishte anësim qëndrimi. Kur dihet se shqiptarët e duan Amerikën jo për hatër të këtij ose atij preidenti, por për kontributet e saj të vazhdueshme prej 100 vitesh e më shumë në dobi të kombit shqiptar”, thekson ai.

Profesori tutje shprehet se diplomacia nuk bëhet kështu. Sipas tij, vendet tona janë të vogla dhe kur është fjala për ekuilibra, duhet që diplomacia jonë të jetë shumë e kujdesshme.

“Fatkeqësisht që kur Edi Rama erdhi në pushtet i prishi ekuilibrat e diplomacisë shqiptare, duke ndikuar edhe në Kosovë. Edhe vendet e fuqishme ruhen e nuk mbajnë anë, sepse njëanësia ka kosto. Asnjanësia në çeshtjet e brendshme politike të të tjerëve e bën efektive diplomacinë në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti. Se kur do mësohen këta liderë tanë të politikës e diplomacisë të ruajnë ekuilibra, nuk e di! Por jam shumë, shumë i zhgënjyer. Për të gjitha këto marrëveshja nuk është historike. Eshtë madje një mish mash, që nuk kthjellon, por i turbullon situatat dhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe autostrada dhe hekurudha janë projekte të brezave të ardhshëm. Nuk është bërë Roma në një ditë. Nuk bëhen as këto me urdhër peshku. Projektet e kësaj marrëveshje, përfshirë dhe minishengenin do të marrin kuptim vetëm atëherë kur në rajon të jetë vendosur paqja e përhershme. Sa kohë që Serbia do të provokojë paqen e stabilitetin politik të Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, aq kohë nuk do ketë përparim në asnjë fushë bashkëpunimi”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme