Profili i sekserit më të njohur në Kosovë

Portofolioja e Astrit Haraqisë përfshin frikësimin e dëshmitarëve, keqpërdorimin e postit të ministrit, falsifikimin, të qenit sekser në shitjen e vizave italiane, akuzat për ryshfet 3.6 milionë eurosh për rastin e Grandit, praninë e çuditshme në jahtin e një mafiozi të dyshuar e shumë veprime të tjera të dyshimta.

Profili i sekserit më të njohur në Kosovë

Astrit Haraqija, për më shumë se një dekadë, zyrtarisht ka ndjekur një karrierë prej politikani. Por, ai asnjëherë nuk është shquar në opinion si njeri me karrierë të bujshme politike.

Haraqija, njeriu që u shfaq në skenë në procesin e shitblerjes së votës së Teuta Rugovës, ka lënë gjurmë të pashlyeshme për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ka bërë nam si sekser i suksesshëm.

Veprimet e tij shpeshherë kanë çuditur opinion dhe kanë nxitur protesta. Ishte maji i vitit 2007 kur Haraqija kishte lëshuar një deklaratë që askush para tij nuk e kishte bërë. Po ashtu, askush pas tij në poste ministrore nuk ka mundur ta bëjë atë. Ishte pyetur nga gazetarët për abuzimet financiare në Ministrinë e Kulturës

“I kom harxhu paret e babës, e s’pi harxhoj t’ministrisë”, ishte përgjigja e Haraqisë.

Opinioni ishte shokuar nga papërgjegjësia e një të emëruari nga ish-presidenti Ibrahim Rugova. Shoqëria civile, përkatësisht organizata jo-qeveritare “Çohu” kishte organizuar protestë para ministrisë së Kulturës me sloganin “I kom harxhu paret e babës, e s’pi harxhoj t’ministrisë”.

Por, ky rast nuk do të ishte i vetmi kur opinioni do të tronditej nga përmendja e emrit të Astrit Haraqisë. E njëjta kishte ndodhur edhe pas pesë vitesh.

Ishte shtatori i vitit 2012 kur përmendja e emrit të tij habiti të gjithë. Pacolli, atëkohë zv/kryeministër, thoshte se një sekser i kishte kërkuar 3.6 milionë euro ryshfet. Hoteli Grandi do të ishte i tij, nëse do t’i jepte paratë.

Sekseri i përmendur nga Pacolli quhej Astrit Haraqia. Shumëkush ishte habitur se si një sekser kishte pasur guximin që të kërkonte ryshfet nga zv/kryeministri. Haraqija e kishte mohuar. Hetimet ishin mbyllur në mungesë provash.

Por, Pacolli e ka ripërsëritur tërë kohën takimin me Haraqinë. Sipas tij, ai ishte prezantuar si sekser i Dino Asanajt, ish-shef i Agjencisë së Privatizimit.

Portofolioja e Haraqisë: Frikësim i dëshmitarëve, keqpërdorim i postit të ministrit, falsifikator dhe sekser në shitjen e vizave italiane

Haraqija u shfaq në shtëpinë e familjes Rugova, kur ajo u vizitua nga Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i PAN-it. Në mbrëmje, ai u shfaq në një emision televiziv duke u përpjekur që ta bind publikun se vota e Teuta Rugovës së LDK-së në favor të PAN-it nuk ishte kontrabandim, por një akt heroik i vajzës së ish-presidentit.

Por, çfarë të kaluare ka njeriu për intervenimin e të cilit kishte shumë nevojë Ramush Haradinaj?

Njeriu që përmendet më së shpeshti si sekser, ka mbajtur poste të rëndësishme në të kaluarën. Ishte kryeshef ekzekutiv i Komunës së Gjakovës dhe ministër i Kulturës. Portofolioja e tij është e mbushur me dënime nga gjykata.

Ka vuajtur dënimin me burg të shqiptuar nga Tribunali i Hagës. Ishte dënuar për presion dhe frikësim të dëshmitarëve. Po ashtu, ishte dënuar nga gjykata në Kosovë për falsifikim të dokumenteve të një veture, e cila po kërkohej nga Interpoli.

Edhe një dënim tjetër nga gjyqi përfshin Astrit Haraqinë. Është dënuar me burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës për një rast korrupsioni. Gjykata ka konkluduar se ka keqpërdorur pozitën zyrtare të ministrit të Kulturës. Bashkë me të janë dënuar edhe ish-ministri Valton Beqiri, aktori Armond Morina dhe biznesmeni Nehat Fejza.

Përveç rasteve të përfunduara gjyqësore, Haraqia e ka edhe një rast tjetër të hapur.

Është pjesë e grupit të madh të akuzuar për kriminalitet në shitjen e vizave italiane. Prokuroria e akuzon Ukë Rugovën si shef të grupit, ndërsa Haraqija përshkruhet si sekser. Ai akuzohet se ka ndërmjetësuar në biznesin e shitjes duke sjellë klient/viktima tek Ukë Rugova. Ai dyshohet se ka qenë një prej njerëzve që ka bërë presion mbi dëshmitarët në procesin gjyqësor kundër grupit të akuzuar kriminal.

Insajderi në janar të këtij viti ka publikuar bisedat e Astrit Haraqisë, të përgjuara nga EULEX-i. Aty tregohet se Haraqija është kapur nga EULEX-i duke kontaktuar shpesh nëpërmjet telefonit me dëshmitarë dhe duke ju bërë presion atyre.

Prania e çuditshme e Haraqisë në jahtin e mafiozit të dyshuar

Kur Gazeta Metro publikoi në mars të këtij viti shkrimin që tregonte se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte pushuar në një jaht luksoz në Budva, pakkush e kishte menduar edhe përfshirjen e Haraqisë në këtë rast.

Ai ishte shfaqur për të dhënë një ekskluzivitet. Publiku ishte i ndarë në dy grupe që konkludonin me saktësi për pronarin e jahtit. Dikush pohonte se i përkiste Qazim Osmanit e dikush që ishte pronë e Blerim Devollit.

Duke parë që  publiku kishte hamendësime, ishte shfaqur Haraqija. Kishte treguar se Blerim Devolli e kishte blerë para dy vitesh jahtin nga Qazim Osmani.

Por, nga e dinte një politikan për realizimin e një transaksioni që kishte ndodhur në Budva mes dy biznesmenëve të dyshimtë?

Në vitin 2014 mediat serbe kishin publikuar një foto të Qazim Osmanit në jahtin e tij. Ishte i shoqëruar nga Manda Popoviq. Por, pjesa e çuditshme e fotografisë ishte Astrit Haraqia. Ai kurrë nuk e ka sqaruar për publikun se çfarë kërkonte në jahtin e Qazim Osmanit, një prej biznesmenëve më të dyshuar për përfshirje në mafiozitet.

Derisa shumë veprime të tij mbesin të pasqaruara për publikun, një gjë është e qartë: Qeveria e Haradinajt është duke ngritur themelet e saj, duke u ndihmuar nga një prej kriminelëve të dënuar shpesh nga organet e drejtësisë.

Astrit Haraqija shfaqet shpesh në studiot televizive duke folur si politikan. Faktikisht, ai nuk përfaqëson asnjë subjekt politik. Nuk është i autorizuar zyrtarisht nga asnjë subjekt politik. Por, jo zyrtarisht autorizohet kur ato kanë nevojë për sekser.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme