Qeveria e Kosovës pasi ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, e ka proceduar atë në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Me Ligjin për dialogun përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse, derisa thuhet se rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë.
Edhe ky projektligj si i gjithë procesi, kundërshtohet nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja, Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se në formën se si është duke u punuar nga Qeveria dhe partitë në pushtet nuk mund të krijohet uniteti për dialog as e as të miratohet ligj.
“Në këtë formë nuk mund të krijohet uniteti për dialog e as duke bërë ligj, prandaj unë konsideroj se ne duhet të kërkojmë zgjedhje dhe duhet të marrim besimin te qytetaret e vendit dhe t’i marrim përgjegjësitë. Qasja se si ka shkuar deri tash dialogu ku nuk kishte fare transparencë, ne normal që jemi të shqetësuar”, tha Gaxherri.
Sipas Gaxherrit, për çështjen e dialogut nuk duhet të nxitohet, ngase ka të bëjë me interesat e vendit.
“Nuk kemi nevojë të besojmë në thirrjet e presidentit që e çuan çdo veprim të tij historik”, tha ajo.
Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se nuk e përkrahin Projektligjin për dialog. Deputetja Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosje nuk do ta votojë ligjin në fjalë, dhe sipas saj, me veprime institucionale do të reagojnë si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij.
Më gjerësisht lexoni në Radio Evropa e Lirë