Gazetar: Mihajllo Donev
Kreu i pezulluar i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, Mustafa Hajrullahi, beson se vendimi i prokurorisë publike për të paraqitur kërkesë për shkarkimin e tij në Këshillin e Prokurorëve Publik është tendencioz dhe nuk ka mbështetje ligjore. Sipas Hajrullahit, personi që qëndron pas këtij vendimi është Prokurori Publik i Shtetit Lupço Kocevski, i cili dyshohet se e ka shantazhuar prokuroren-raportuese në rastin kundër tij që të paraqesë propozimin për shkarkimin e tij.
“Prokurorja Vjollca Elmazi u detyrua të bënte propozim të tillë nga Kocevski, sepse ai e kërcënoi se nëse nuk do të bënte propozim të tillë, do të ngrinte procedurë disiplinore kundër saj për mosveprimin, gjegjësisht për atë që ajo e bëri me lëndën e saj si prokurore publike nga Prokuroria e Lartë e Gostivarit”, tha Mustafa Hajrullahi- kryetar i pezulluar i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.
Prokuroria kërkon që Hajrullahi të shkarkohet për shkak të parregullsive në mënyrën e evdentimit të lëndëve dhe marrjes së vendimeve joprofesionale kurse kundër tij po zhvillohet edhe një procedurë në prokurorinë në Shtip për vepër penale – torturë në shërbim. Hajrullahi mohon fajësinë edhe për këtë vepër kurse sot vetë ngriti padi penale kundër prokurores Tanja Kacarova, e cila po e udhëheq rastin.
“Padia penale është ngritur për veprën penale falsifikim i dokumentit publik, sepse ajo, së bashku me regjistruesin nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip, kanë kryer falsifikime të papara në lidhje me procesverbalet. Dëshmitarët as që kanë qenë në Shtip për të dhënë dëshminë e tyre, por procesverbali janë bërë përmendësh, sepse vura re se procesverbali i parë me të dytin, të tretin dhe të katërtin, përshtaten në aspektin kohor”, shtoi Mustafa Hajrullahi- kryetar i pezulluar i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.
Ndërkohë, Këshilli i Prokurorëve Publik njofton se propozimi për shkarkimin e Hajrullahit ende nuk ka mbërritur tek ata, ndërsa Prokuroria thotë se Komisioni Disiplinor është duke e përgatitur atë. Përveç Hajrullahit, Prokuroria raportoi të premten se gabime të rënda disiplinore u përcaktuan edhe nga Prokurori i Lartë Publik Jovo Cvetanovski, i cili veproi me neglizhencë në katër raste. Për këtë, Prokuroria i shqiptoi Cvetanovskit masë disiplinore – ulje të pagës prej 30 për qind për periudhë gjashtëmujore./Alsat.mk