Prokurori i EULEX-it, Charles Hardaway ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e MTPT-së, ku Fatmir Limaj dhe të tjerët janë liruar nga akuza për vepra penale të korrupsionit.
Më 24 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Fatmir Limajt, Endrit Shalës, Nexhat Krasniqit, Florim Zukës, e Shpëtim Telakut.
“Betimi për Drejtësi”, e ka siguruar ankesën e prokurorit Hardaway, i cili e ka dërguar në gjykatën e shkallës së dytë, më 22 mars të këtij viti, së cilës i kërkohet që të prish aktgjykimin e Themelores dhe lëndën ta kthej në rigjykim.Sipas ankesës, e cila përmban 42 faqe, kundërshtimi bazohet se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë është bërë vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike, shkelje thelbësore e procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal.
“Vërtetimi i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike, ka ekzistuar kur gjykata kishte vendosur të mos e dëgjojë dëshmitarin e prokurorisë Hakan Ekizer (ish-hetues i EULEX-it) dhe të tjerë të lidhur me autenticitetin dhe pranueshmërinë e SMS-ve të shtypur që ishin konfiskuar nga shtëpia e Fatmir Limajt”, thuhet ndër të tjerash në ankesë.
Sipas prokurorit, ky dëshmitar do të mund të përcaktonte se komunikimet e pretenduara ndërmjet Endrit Shalës dhe Florim Zukës ishin të vërteta.“Prandaj, prokuroria është e mendimit se kishte qenë thelbësore që të dëgjohet dëshmia e Hakan Ekizer, gjatë shqyrtimit gjyqësor, pasi që ai ishte në mesin e ekzaminuesve të parë të USB-së dhe ishte në pozitë shumë më të mirë për të qenë në gjendje të ofrojë informacion më të besueshëm në lidhje me autenticitetin e përmbajtjes së kartës së memories – USB”, thuhet ndër të tjerash në ankesë, ku duke u thirrur në nenin 361 të KPK-së, sipas ankesës, gjykata ka bërë një veprim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike në pjesën kyçe të rastit.
Gjithashtu, sipas ankesës, gjykata e shkallës së parë, në rastin e aktgjykimit nuk ka marr fare për bazë dëshmitë e dëshmitarëve Ali Aliu, Beqir Deda, Mustafë Dalloshi, Bajrush Xhemajli, Sadush Rysha dhe Arsim Kolshi.
Dëshmitë kyçe të fakteve që kanë të bëjnë me tenderin 08-006-511, sipas ankesës, janë komunikimet në mes të pandehurit Shpëtim Teaku dhe dëshmitarëve Ali Aliu, Beqir Deda, Mustafë Dalloshi, Bajrush Xhemajli, Sadush Rysha dhe Arsim Kolshi, që në mënyrë të hollësishme u janë shtruar atyre, gjatë marrjes në pyetje.
“Përkundër të gjitha provave që janë paraqitur në lidhje me tenderin 08-006-511, aktgjykimi nuk trajton asnjë fakt apo provë në lidhje me tenderin 08-006-511. Ai nuk thotë asgjë për sa i përket sjelljes së të pandehurve Fatmir Limaj dhe Shpëtim Telaku gjatë procesit të tenderimit të këtij tenderi. Gjykata në aktgjykimin e saj të plotëfuqishëm me shkrim, ndryshe nga ajo që kërkohet sipas nenit 370 të KPP-së nuk ka cekur asnjë fakt të vetëm, qoftë të vërtetuar apo të pavërtetuar lidhur me gjendjen faktike të këtij tenderi, nuk ka vlerësuar besueshmërinë e dëshmitarëve të thirrur, as nuk ka kryer asnjë analizë të komunikimeve që janë provat kryesore për këto akuza”, thuhet në ankesë.
Përveç tjerash, në ankesë përmendet edhe koha që është kërkuar për përpilimin e aktgjykimit në këtë rast.“Aktgjykimi i çështjes aktuale është shpallur më 24 nëntor 2017. Trupi gjykues, ishte i përbërë nga gjyqtarja e EULEX-it, Marie Tuma si kryetare e trupit gjykues, gjyqtarja e EULEX-it, Jennifer Seel dhe gjyqtari kosovar, Isuf Makolli, si anëtarë të trupit gjykues.
Në kohën kur ishte shpallur aktgjykimi, arsyetimi i plotë nuk ishte kompletuar. Më 25 nëntor 2015, kryetari i trupit gjykues, zyrtarisht doli nga misioni i EULEX-it. Prokuroria pranojë arsyetimin e plotë të trupit gjykues më 8 mars 2018. Kjo është 104 ditë nga shpallja e aktgjykimit. Data e arsyetimit të plotë të aktgjykimit, u shënua më 24 nëntor 2017, si në të njëjtën datë që u shpall aktgjykimi”, thuhet tutje në ankesë.
Sipas saj, që nga 12 dhjetori 2017, arsyetimi i plotë i trupit gjykues nuk ishte përfunduar.“Gjykata kërkojë një vazhdim prej 60 ditësh, bazuar në nenin 369 (1) të KPP-së. Kërkesa u aprovua më 15 dhjetor 2017. Kjo është 17 ditë pasi kryetari i trupit gjykues u largua nga misioni i EULEX-it. Kërkesa për vazhdim, ishte bërë nga gjyqtari i EULEX-it, Vladimir Mikula dhe jo nga kryetari i trupit gjykues.
Prokurori thekson se kërkesa është e pavlefshme”, vazhdon ankesa. Aty thuhet se pasi gjyqtari i EULEX-it, Vladimir Mikula nuk ka shërbyer asnjëherë si kryetar i trupit gjykues në rastin aktual, prokurori thekson se ai nuk ka qenë i autorizuar të paraqesë një kërkesë të tillë.“Në rastin aktual, prokurori thekson se aktgjykimi me shkrim është nënshkruar nga kryetari i trupit gjykues, pas largimit nga misioni i EULEX-it dhe më nuk kishte asnjë autoritet ekzekutiv brenda Republikës së Kosovës.
Është e palogjikshme që aktgjykimi i formës së prerë me shkrim të lëshohet në datën e shpalljes së aktgjykimit në shqyrtim gjyqësor të hapur dhe pasi që është shënuar qartazi në procesverbal se arsyetimi i plotë i aktgjykimit, do të pasojë në kohën e duhur”, thuhet tutje në ankesë.Në të, thuhet gjithashtu se prokurori thekson se nënshkrimi i aktgjykimit të formës së prerë me shkrim nga një kryetar i trupit gjykues, i cili nuk posedonte asnjë autoritet ekzekutiv, në kohë e nënshkrimit, përbën shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, siç thuhet, nga neni 384 (1.12) i KPP-së.Ndërkohë, në aktgjykimin prej 109 faqe, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se trupi gjykues ka shqyrtuar dhe interpretuar dispozitat e veprave penale, për të cilat janë ngarkuar të akuzuarit, aplikimin e dispozitave të procedurës penale dhe ka vlerësuar provat e trajtuara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Gjykata, gjatë shqyrtimit gjyqësor më 16 nëntor 2017, kishte marrë aktvendim me anë të së cilës i kishte shpallur të papranueshme kopjet e printuara të disa SMS-ve, të gjetura në shtëpinë e Fatmir Limajt në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës, por për këtë nuk kishte dhënë arsyetim, për ta lënë me rastin e përpilimit të aktgjykimit.Prokurori Charles Hardaway, për vërtetësinë e kësaj prove, kishte ftuar shumë dëshmitarë, por sipas trupit gjykues, prokurori nuk ka arritur ta argumentojë pretendimin e tij.
“Trupi gjykues pajtohet se është dashur hetime të tjera për të vërtetuar origjinën e SMS-ve të supozuar. Pas dëgjimit të të gjitha provave në këtë çështje penale, u krijua bindja se prokurori nuk ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm teorinë e tij se kopjet e printuara të SMS-ve të supozuar kanë dalë jashtë nga ‘Vala’ dhe nuk janë prodhim i shkrimit imagjinar”, thuhet në një pjesë të aktgjykimit.Trupi gjykues e ka vlerësuar se deklarata e të ndjerit Mehmet Shkodra, e dhënë në Agjencinë Kundër Korrupsion, informacion nga i cili kanë filluar dyshimet për keqpërdorime në MTPT, nuk është vërtetuar me prova tjera.
Sipas trupi gjykues, ajo deklaratë i ishte përcjellë PSRK-së, më 20 tetor 2009, dhe bashkërisht me të ishte përcjellë edhe ankesa e Shkodrës për dyshime për korrupsion në MTPT, e datës 6 maj 2009.Trupi gjykues, ka vlerësuar se nga deklaratat e dëshmitarëve Hasan Preteni, ish-drejtor i AKK-së dhe Ekrem Demolli, oficer i larë për hetime në AKK, është kuptuar se informacioni i vetëm i AKK-së, janë vetëm deklaratat e Shkodrës të dhënë në AKK, pa e bërë një hetim më të zgjeruar, por të njëjtat i janë dorëzuar PSRK-së.
Trupi gjykues, e ka konsideruar të papranueshme deklaratën e Shkodrës në AKK, pasi që atij, nuk kanë mundur t’i bëjnë pyetje të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.Sipas trupit gjykues, nuk është arritur të vërtetohet se Fatmir Limaj i ka premtuar Mehmet Shkodrës, rrugën Ponesh-Zhegovc, ku sipas gjykatës kjo nuk është arritur të vërtetohet as me dëgjimin e dëshmitarit Bekim Shkodra, njëherësh djali i të ndjerit Mehmet Shkodra.Trupi gjykues ka vlerësuar, po ashtu se për këtë tender të kësaj rruge, nuk është vërtetuar se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare as ish-shefi i prokurimit në MTPT, Nexhat Krasniqi.Në aktgjykim, ndër të tjerash thuhet se prokurori nuk ka rritur të vërtetojë se Endrit Shala, në cilësinë e këshilltarit në MTPT, ka ndihmuar një person zyrtar për të keqpërdorur pozitën e tij, rreth tenderit të rrugës Ponesh-Zhegovc.
Ndryshe, Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, FlorimZuka e Shpëtim Telaku, pas një procesi maratonik, më 24 nëntor 2017, nga një trup gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendor, kishin shpallur aktgjykimin, sipas të cilit, të gjithë të akuzuarit janë liruar nga të gjitha akuzat, me ç’rast për disa vepra ishin shpallur të pafajshëm, kurse disa të tjera ishin vjetërsuar.
Për pikën 1 të aktakuzës, lidhur me krimin e organizuar, katër të akuzuarit Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku, janë liruar nga akuzat, pasi që trupi gjykues ka vlerësuar se veprimet e tyre nuk përbëjnë vepër penale.Kurse, për pikën 2 të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, katër të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, në mungesë të provave.
“Nuk është provuar se Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi kanë shpërdorur detyrën zyrtare për dhënien e tenderëve për kompaninë “Tali” dhe “Interevropa”, ka deklaruar gjykatësja Marie Tuma, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.Për pikën e 3, marrje e ryshfetit, gjithashtu Limaj dhe të tjerët janë shpallur të pafajshëm, pasi nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale.
“Nuk është provuar se ndërmjet vitit 2007 deri 2012, Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi dhe Endrit Shala kanë pranuar kërkesa për përfitime në favor të dhënies së tenderit”, ka deklaruar gjykatësja Marie Tuma, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.Pika e 4 e aktakuzës kundër FlorimZukës për dhënie të ryshfetit është refuzuar, pasi që është parashkruarEdhe për pikën e 5, FlorimZuka gjithashtu, është liruar nga akuza për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Për pikën e 6, Fatmir Limaj për mos deklarim të parave të pranuara në fushatë, është liruar nga akuza, pasi që vepra është parashkruar.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.
Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 5 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.Sipas aktakuzës së PSRK-së, Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi kanë kryer veprat penale “krim i organizuar”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”, Shpëtim Telakun veprat penale “krim i organizuar” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa FlorimZuka veprat penale “dhënie ryshfeti” dhe “keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”. Fatmir Limaj akuzohej po ashtu se ka kryer edhe veprën penale “mos deklarim i parave për fushatë”.