“Gjëra bajate” i ka konsideruar të gjitha ato që janë thënë në letrën e ish-prokurorit të dorëhequr, Elez Blakajt, kolegu i tij, prokurori Lulzim Sylejmani. Kontaktuar nga Gazeta Express, Sylejmani ka thënë se nuk është pjesë e këtij problemi, ani se i njëjti është përmendur në letrën e Blakajt se kishte qenë i pranishëm kur kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte kërkuar nga prokurorët që ta rishikojnë aktakuzën në rastin “Pronto”.
Madje, Sylejmani ka kërkuar që asnjë gazetarë të mos e shqetësojë me pyetje karshi kësaj çështjeje.
“Jo të lutem, unë mirë jam, por nuk jam as për intervistë as për asgjë. Tungi tungi, ditën e mirë. As s’jam pjesë e problemeve e as nuk dua me u marrë me gjëra bajate. Tregoju madje edhe kolegëve tuaj. Tungi”, ka thënë Sylejmani.
Prokurori Elez Blakaj kishte qenë duke u marrë me hetimet për listat e veteranëve. Ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditura arsyet e dorëheqjes. Blakaj ka thënë se arsyeja se pse erdhi deri të dorëheqja e tij është “menaxhmenti skajshmërisht i politizuar”, ku rastet e profilit të lartë shumë vështirë lejohen të kalojnë. Ai ka pranuar edhe se ka qenë i kërcënuar disa herë. Madje, Blakaj thotë se Kryeprokurori i Shtetit i ka kërkuar llogari pse në mesin e dëshmitarëve e ka ftuar edhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, shkruan Express
Në letrën e tij, Elez Blakaj thotë se prokurori Lulzim Sylejmani kishte qenë i pranishëm kur kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte kërkuar nga prokurorët që ta rishikojnë aktakuzën në rastin “Pronto”.
Madje, Blakaj ka shkruar se Lumezi kishte kërkuar nga Blakaj që të mbante shënim zyrtar për faktin që disa prokurorë nuk po pranojnë të rishikojnë vendimin e marrë për rastin “Pronto”.
Ish-prokurori Blakaj përmes një letre të gjatë, disa ditë pas lajmit për largimin e tij nga shteti dhe dorëheqjen nga pozita e prokurorit, ka treguar arsyet e tij, duke i bërë pjesë të rrëfimit të tij shumë figura të rëndësishme politike e të gjyqësorit, përfshirë kryeprokurorin Aleksandër Lumezin e kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Sylejmani është i vetmi që e ka hapur telefonin nga zyrtarët e lartë të prokurorisë të apostrofuar në letër.