Nga Prokuroria njoftojnë se kanë kërkuar që gjykata të shqiptojë masën e paraburgimit ndaj dy personave që u arrestuan pasi u kapën në flagrancë gjatë grabitjes së një marketi të Neptun në afërsi të Stadiumit të qytetit mbrëmjen e 29 nëntorit. Nga Prokuroria theksojnë se bëhet fjalë për një 27-vjeçar dhe një 21-vjeçar.
“Ishin të maskuar me maska plastike, shalle dhe kapuç në kokë dhe të armatosur me armë, ndërsa një i dyshuar mbante gjithashtu një mjet shpërthyes të improvizuar në formë dinamiti. Dy bashkëautorët kanë hyrë në dyqan, ku në atë moment ndodheshin disa punonjës, klientë të rritur dhe tre fëmijë. Ata i kërcënuan të gjithë me armë dhe eksploziv, dhe njëri nga të dyshuarit qëndroi para derës për t’i penguar ata të largoheshin. I dyshuari tjetër ka hyrë pas banakut nga ku ka marrë paratë, më pas duke kërcënuar me armë ka kërkuar nga punonjësit të hapin kasafortën nga ku ka marrë një arkë metalike të kuqe me para dhe vauçerë me vlerë. Së bashku me grabitjen dhe nga kërcënimet me jetë ndaj të pranishmëve, të dyshuarit kanë marrë para në vlerë të përgjithshme prej 556.146 denarëve, të pranishmëve u kanë tërhequr vërejtjen që të mos lajmërojnë policinë dhe janë larguar nga dyqani.
Në afërsi, përballë dyqanit, ata janë kapur nga efektivët e policisë të cilët i kanë privuar nga liria në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.