Më 17 prill, është mbajtur seanca e fundit për vrasjen e Liridona Ademajt, ku u paraqiten fjalët përfundimtare në rastin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes me marrëveshje për pagesë prej 30 mijë euro.
Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.
Prokurorja Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Sipas Perlinqeviq, është vërtetuar se Naim Murseli ka vepruar për përfitim financiar apo moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, ndërsa sipas pretendimeve të aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes.
Vendimi pritet të merret pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ku palët sot kanë paraqitur fjalët përfundimtare dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve.
Bajraktari: Gjykata do ta bëjë publik vendimin shumë shpejt, pastaj natyrisht se ju mbetet palëve për ankesa
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.
Gjithashtu, ai thekson se vepra për të cilën akuzohen të pandehurit (vrasje e rëndë në bashkëkryerje) parashikon dënime shumë të rënda, nga të paktën 10 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
“Sa i përket këtij procesi, duhet thënë se edhe prokuroria por edhe gjykata e kanë trajtuar me efikasitet dhe rrjedhimisht procesi është përfunduar brenda afatit të arsyeshëm. Në rrjedhë të asaj që kemi pasur mundësi me pa, aktakuza ka qenë e mirë argumentuar.
Kurse sa i përket veprës penale për të cilën akuzohen të pandehurit, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, shkalla e dënimit është me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”, u shpreh ai.
Juristi shton që gjykata do ta publikojë vendimin së shpejti dhe më pas palët kanë të drejtë të bëjnë ankesë nëse nuk pajtohen me të.



