Prokuroria Speciale heton privatizimin tinëzar të hidrocentraleve!

Prokuroria Speciale ka nisur hetimin për “faljen” e katër hidrocentraleve. Ato ishin përfshirë në një pako me Distribucionin dhe Furnizimin, i cili ishte shitur për vetëm 26.3 milionë euro tek konzorciumi i kompanive turke, ‘Çalik & Limak’.

Privatizimi i katër hidrocentraleve ishte bërë në mënyrë tinëzare. Për përfshirjen e tyre në kontratën e privatizimit nuk kishin pasur informata asnjë nga ministrat që kishin votuar për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit.

Prokuroria Speciale është themeluar për hetimin e rasteve të krimit të organizuara dhe rastet në të cilët janë të përfshira nivele të larta të korrupsionit.

Liridona Kozmaqi Hajdaraj e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë nisur hetime për privatizimin e katër hidrocentraleve së bashku me Distribucionin dhe Furnizimin.

“Prokuroria ka kërkuar nga Policia e Kosovës të sigurojë informatat e nevojshme”, ka thënë Kozmaqi- Hajdaraj për “Gazetën JnK”, kur është pyetur nëse është nisur hetim për përfshirjen e katër hidrocentraleve në privatizim të KEDS-it.

Ajo ka thënë se që nga fillimi i hetimeve me këtë rast është duke u marrë vetëm një prokuror, por nuk e ka treguar emrin e prokurorit.

“Ju informoj se këtë lëndë nga fillimi e deri më tani e ka pasur dhe e ka në punë një prokuror nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha Kozmaqi- Hajdaraj, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

Për privatizimin e tyre në mënyrë tinëzare nga qeveria e Kosovës për herë të parë kishte raportuar Gazeta “Koha Ditore”. Pas publikimit të shkrimit, të gjithë ministrat që kanë qenë në komitetin e privatizimit të KEDS-it kishin deklaruar se nuk kanë informacione për privatizim të hidrocentraleve në një pako me rrjetin e energjisë elektrike dhe furnizimin.

Distribucioni dhe Furnizimi ishte ndarë nga KEK-u në vitin 2009, pasi qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për privatizim e këtyre aseteve energjetike. Në vitin 2012 ishte finalizuar procesi i privatizimit. Qeveria e kishte shpallur fitues konzorciumin e kompanive turke, ‘Çalik & Limak’. Kompanitë Çalik dhe Limak fillimisht kishin qenë konkurrentë për blerjen e KEDS-it, por ato ishin bashkuar gjatë procesit. Bashkimin e tyre e kishte miratuar edhe Komisioni Ndërministror i privatizimit të KEDS-it. Ky konzorcium kishte ofertuar 26.3 milionë euro për blerjen e rrjetit energjetik dhe furnizuesit publik.

Çmimi ishte cilësuar mjaft i ulët dhe kishte shkaktuar pakënaqësi dhe protesta të sindikatës dhe opozitës. Ishin arrestuar edhe disa deputetë të cilët ia kishin mësyrë ndërtesës së Qeverisë ku bëhej procedimi i privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit.

Në Komisionin Qeveritar për Privatizimin të KEDS-it kanë marrë pjesë: Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Bedri Hamza, Ministër i financave, Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka pasur dy këshilltar të transaksionit, të cilët kanë qenë përgjegjës së bashku me njësinë e privatizimit për të gjitha çështjen e privatizimit. Deloitte dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) e kanë këshilluar qeverinë për këtë transaksion që nga fillimi i procesit.

Beqaj në vitin 2012 kishte thënë se Kosova nuk po privatizon hidrocentrale.

“Shumë shpesh po bëhen krahasime edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë… Në strukturën e transaksionit në Maqedoni, përveçqë është shitur një pjesë e borxheve të vjetra, është shitur edhe aseti i një hidrocentrali prej 40 megavatesh. Pra, nuk është shitur vetëm Distribucioni, por është shitur edhe gjenerimi në këtë koncept. E kjo nuk ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë Beqaj, bazuar në transkriptin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, që është mbajtur në tetor të vitit 2012.

Beqaj, për Kohën Ditore kishte thënë se vazhdon t’i qëndrojë këtij deklarimi, pasi sipas tij në dokumentet e privatizimit në asnjë vend nuk është thënë se do të shiten edhe hidrocentralet.

Bazuar në legjislacionin aktual, investitorëve u duhen rreth 2 vjet për t’i përgatitur të gjitha lejet dhe marrëveshjet e nevojshme për të marrë autorizimin final, përkatësisht lejen për fillimin e ndërtimit.

Edhe procesi i ndërtimit mund të zgjasë deri në dy vjet. Përveç kohës për ndërtimin e një hidrocentrali duhen edhe investime të mëdha. Në bazë të kalkulimeve të ndryshme shuma e investuar për një megavat ndryshon nga 1.2 deri në 2 milionë euro.

Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in: Hidrocentrali i Dikancës, Hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese. Në kohën kur janë dhënë me qira, sipas KEKut, ato kanë pasur një kapacitet të instaluar prej 11 megavatëve, mirëpo koncesionarët janë zotuar se pas investimeve që do të bëjnë kapaciteti i tyre do të rritej në 14 megavatë.

Nëse shihen komunikatat e lëshuara nga KEK-u, në kohën e dhënies së këtyre hidrocentraleve me koncesion, atëherë del që në to është dashur të investohen 15 milionë euro.

“Dhënia e këtyre hidrocentraleve me koncesion po sjell investime prej afro 15 milionë eurosh, duke punësuar qindra punëtorë. Aktivizimi i tyre ndikon në ndryshimin e strukturës së prodhimit të energjisë elektrike, duke rritur në përqindje atë të prodhuar nga hidroenergjia në 5 për qind”, thuhet në komunikatën e KEK-ut, që është lëshuar më 14 prill të vitit 2010, në të cilin ishte paralajmëruar lëshimi i hidrocentralit “Burimi” me qira kompanisë “Triangle General Contractors inc.”, dega në Kosovë. E paraprakisht ishin dhënë me koncesion edhe hidrocentrali i Lumëbardhit, Radavcit dhe ai i Dikancës.

“Investimi total arrin në 2.5 milionë euro, i ndarë në dy faza. Fillimisht kompania fituese do të bëjë rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese. Kjo, sipas kontratës, do të kryhet brenda gjashtë muajve. Ndërsa në fazën e dytë parashihet zgjerimi deri në 2.66 megavat/orë, që paraqet gati dyfishim të kapaciteteve. Ky investim në baza kontraktuale do të realizohet në 24 muajt në vijim. HC “Dikanca” është dhënë me koncesion për 20 vjet”, thuhet në komunikatën e KEK-ut të vitit 2010, ku KEK-u tregonte se kishte nënshkruar kontratën për dhënien me koncesion Hidrocentralin e Dikancës kompanisë “Frigo Food Energy Invest” nga Shqipëria./Gazeta JNK

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme