Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.
Sipas hetimeve të prokurorisë forcat serbe fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për ta granatuar më pas nga distanca me mjete ushtarake. Ata kanë hyrë shtëpi më shtëpi, kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar janë ekzekutuar.
Prokuroria tutje thotë se hetimet kanë vërtetuar gjithashtu se civilët janë rrahur brutalisht me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.



