Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, R.K. dhe A.D. nga Prizreni, ndërkaq, L.M., nga Skenderaj.
Sipas njoftimit të kësaj prokurorie, ndaj të dyshuarve PSRK-ja ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tyre.
“Të lartcekurit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, ka ndërmarrë operacione për bastisjen dhe ndalimin e tre personave me inicialet R.K., A.D dhe L.M., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 paragrafi 3 lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste nga neni 136 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Po ashtu, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, urdhër-arrest ndaj të dyshuarit B.B., të cilin e kanë zbatuar autoritetet gjermane.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve janë sekuestruar një armë automatike ‘AK47’, tre karikatorë të armës ‘AK 47’ me 40 fishekë, një pushkë ajrore, një revole ‘colt’, një palë dylbi, një veturë me targa të huaja, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim.