Prokuroria tërhiqet nga aktakuza pasi kupton që për të njëjtën çështje tash ka një vendim të formës së prerë

Një praktikë e rrallë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Kjo gjykatë ka marrë aktgjykim refuzues në rastin në të cilin të akuzuar për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, janë ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq dhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Marko Svilanoviq.

Deri te ky aktgjykim i gjykatës erdhi pasi prokurori Shaban Spahiu, vendosi të tërhiqet nga ndjekja penale ndaj Mirkoviqit dhe Svilanoviqit, me arsyetimin se për të njëjtën çështje tashmë është marrë një vendim i formës së prerë, dhe atë me një tjetër ish-zyrtar të kësaj komune, Boban Bogdanoviq.

Edhe pse të premten, ishte seancë e shqyrtimit gjyqësor, çka do të thotë se aktakuza e prokurorisë i ka kaluar filtrat e konfirmimit të saj, i akuzuari Sasha Mirkoviq, në fillim të kësaj seance, deklaroi se për rastin për të cilin është duke u gjykuar, ka dhënë deklaratë në polici dhe prokurori gjatë vitit 2015.

“Sipas kësaj lënde kam dhënë një deklaratë qysh në vitin 2015 në krimet ekonomike në Gjilan, pastaj iu kam përgjigjur ftesës së prokurorit Arben Kadriu. Në këtë periudhë, Komuna e Kllokotit ka paraqit kallëzim penal ndaj meje, zëvendësit tim Marko Svilanoviq dhe Boban Bogdanoviq, në bazë të provave të departamentit ekonomik ia ka dorëzu prokurorisë, e cila nga ky rast na ka përjashtu mu dhe Markos, dhe aktakuzë ka ngritur vetëm kundër Boban Bogdanoviqit”, tha ai.

Mirkoviq theksoi se para disa ditësh i ka krahasuar disa shkresa të lëndës dhe ka arritur të kuptojë se rasti gjyqësor i së premtes është i njëjtë me rastin për të cilin ai ka dhënë deklaratë.

“Para disa ditësh rastësisht kam bërë krahasimin e faturave dhe provave tjera dhe kam ardhur në përfundim se behët fjalë për të njëjtën lëndë dhe të njëjtat fatura të vitit 2015, sipas të cilit edhe Boban Bogdanoviq është akuzu, fjala është për shumën e njëjtë dhe për të njëjtat fatura”, përfundoi Mirkoviq.

Pas këtij deklarimi, prokurori i rastit Shaban Spahiu, kërkoi nga trupi gjykues që të ndërpritet shqyrtimi gjyqësor për një orë e gjysmë në mënyrë që të verifikohet pretendimi i të akuzuarit.

Pasi rifilloi shqyrtimi gjyqësor, prokurori Spahiu, deklaroi se pretendimi i të akuzuarit është i bazuar, por theksoi se Mirkoviq dhe Svilanoviq, në çështjen në të cilën është akuzuar Boban Bogdanoviq, kanë qenë në cilësi të dëshmitarit, e jo si të pandehur.
“Pas pretendimit te të akuzuarve, në fillim të shqyrtimit të sotëm gjyqësor se për të njëjtën çështje penale është zhvillu hetim në prokurori në vitin 2015 dhe ka rezultu me ngritjen e aktakuzës me numër PP.I.nr. 24/2015, ndaj të pandehurit Boban Bogdanoviq, gjatë pauzës është kërkuar lënda në fjalë dhe nga shkresat e lëndës është konstatuar se për këtë çështje penale me aktvendimin PP.I.nr. 24/2015, të datës 19 mars 2015, është zhvilluar hetim, jo kundër të akuzuarve Sasha Mikoviq dhe Marko Svilanoviq, por kundër të akuzuarit Boban Bogdanoviq dhe të pandehurit Faruk Zuka, ndërkohë gjatë hetimit ka rezultuar me pushimin e hetimit ndaj Faruk Zukës, kurse me ngritjen e aktit akuzues ndaj Boban Bogdanoviqit”, tha prokurori.

Prokurori Spahiu, gjithashtu tha se pas shqyrtimit gjyqësor, më 13 shkurt 2017, Bogdanoviq, është liruar nga akuza dhe pas ankesës së prokurorisë, aktgjykimin e shkallës së parë e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Prokurori Spahiu, shtoi se në bazë të shkresave të lëndës vërtetohet se bëhej fjalë për të njëjtat flet dërgesa për të cilat janë akuzuar Boban Bogdanoviq, Sasha Mirkoviq dhe Marko Svilanoviq, në dy aktakuza të ndara.
“Nga dispozitivi i aktit akuzues, kundër Boban Bogdanoviqit dhe nga dispozitivi i aktakuzës së tani të akuzuarve Sasha Mirkoviq e Marko Svilanoviq, vërtetohet se faktikisht bëhet fjalë për të njëjtën çështje, përkatësisht për të njëjtat flet dërgesa, për furnizim me artikuj për institucionet e Komunës së Kllokotit, me numër 39, të datës 4 shkurt 2012, flet dërgesa me numër 59 e 2 tetorit 2013 dhe flet dërgesa me numër 60 e 9 tetorit 2013, që realisht janë po të njëjtat flet dërgesa në të njëjtën lëndë dhe në të njëjtin lartësi të çmimit furnizues. Ndërkohë që duke i pas parasysh edhe do rrethana tjera, e para se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë është konstatuar se në çështjen e gjykuar penale ndaj Boban Bogdanoviqit, po për të njëjtën çështje nuk është provuar se është vepruar me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, apo t’i jetë shkaktuar dëm material Komunës së Kllokotit”, tha Spahiu.

“Është mendim i shkallës së dytë që nëse nuk vërtetohet përfitimi pasuror ose dëmi, nuk formësohen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Në këtë fazë të procedurës për arsyet e cekura hoqi dorë nga ndjekja nga kjo çështje penale”, përfundoi prokurori.
Pasi prokurori u tërhoq nga aktakuza e ngritur nga ana e tij, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Agim Ademi, në bazë të nenit 363 të Kodit të Procedurës Penale, mori aktgjykim refuzues.

Ndryshe, shpenzimet e procedurës së këtij procesi gjyqësor do të bien në barrën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, të 29 dhjetorit të vitit 2016, tani të akuzuarit Sasha Mirkoviq dhe Marko Svilanoviq, akuzohen se Mirkoviq duke qenë në pozitën e kryetarit të Komunës së Kllokotit, ndërsa Svilanoviq në atë të nënkryetarit të kësaj komune, me qëllim të përfitimit të interesit pasuror për vete apo për tjetrin, kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre duke i tejkaluar kompetencat zyrtare.

Mirkoviq, po akuzohet se gjatë vitit 2013, ka nënshkruar faturën me numër 1/0/18 të datës 2 tetor 2013, dhe faturën me numër 1/0/19 të datës 9 tetor 2013, në lartësi të çmimit prej 1,834,50 euro, lidhur me furnizimin me artikuj shpenzues për institucionet e Komunës së Kllokotit, për të cilat pastaj ka dërguar fletë dërgesën për nënshkrim tek depoisti për furnizim Boban Bogdanoviq.

Sipas akuzës, këtë veprim i akuzuari e kishte bërë pa kaluar artikujt në depon e furnizimit dhe pa u ofruar dëshmi lidhur me distribuimin e artikujve-mallrave për organet e komunës, me çka po pretendohet se Komunës së Kllokotit, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 3,463, 50 eurosh.

Pika 2 e aktakuzës, ndërkaq akuzon të pandehurin Marko Svilanoviq, se ka nënshkruar faturën 1/01 të datës 4 shkurt 2013, në lartësi të çmimit prej 1,549,50 euro, lidhur me furnizimin e artikujve shpenzues për administratën e Komunës së Kllokotit.
Sipas aktit akuzues, edhe i akuzuari Svilanoviq, ka dërguar fletë dërgesën për nënshkrim tek depoisti Boban Bogdanoviq, pa kaluar artikujt përmes depos së furnizimit dhe pa ofruar dëshmi lidhur me distribuimin e këtyre artikujve.

Me këto veprime, ai po akuzohet se të dëmtuarës, Komunës së Kllokotit, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 1,549,50 euro.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar edhe për gjykimin në të cilin ka qenë i akuzuar Boban Bogdanoviq.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, të 26 nëntorit 2015 të prokurorit Arben Kadriu, Boban Bogdanoviq, akuzohej se si zyrtar për furnizim të mallit sanitar në Komunën e Kllokotit ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, nuk i kishte kryer detyrat për të cilat kishte qenë i detyruar.

Ai kishte pranuar mallin nga kontraktuesi NTP “Ermali Com” dhe obligimin që të njëjtën dërgesë ta autorizojë për në destinacionin e caktuar, por që Bogdanoviqi nuk kishte poseduar mbulesë se ku i ka dërguar mallrat të pranuara sipas fletë dërgesave në vlerë prej 5.013.00, dëm ky i shkaktuar Komunës së Kllokotit.

Ndryshe, në shqyrtimin ndaj Bogdanoviqit, në seancën e 14 shtatorit të vitit 2016, në cilësinë e dëshmitarit ishin deklaruar Sasha Mirkoviq dhe Marko Svilanoviq.
Në atë seancë për të cilën kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, Mirkoviq kishte thënë se malli që kishte ardhur në Komunë ishte shpërndarë dhe nuk besonte që ka pasur keqpërdorim nga ana e Bogdanoviq.

Ai po ashtu në atë kohë aktakuzën ndaj Bogdanoviqit e kishte konsideruar si politike
Ndërsa, Marko Svilanoviq, në të njëjtën seancë, duke dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit, kishte thënë se gjatë kohës sa kishte qenë nënkryetar i Komunës së Kllokotit, nuk ishte iniciuar asnjë procedurë disiplinore ndaj Bogdanoviqit.
Ndryshe, ish-kryetari i Kllokotit, Sasha Mirkoviq, është duke u përballur me shumë akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi që ai në bazë të orarit të seancave të Gjykatës Themelore në Gjilan, vetëm në këtë javë i ka pasur të caktuara tri seanca në lëndë të ndryshme, për të cilat në vazhdimësi është duke raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/prokuroria-terhiqet-nga-aktakuza-pasi-kupton-qe-per-te-njejten-ceshtje-tash-ka-nje-vendim-te-formes-se-prere-527015/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme