Zëvendës-kryeprokurorit të Prishtinës, Ibrahim Berisha i është vjedhur vetura zyrtare në oborrin e shtëpisë së tij.
Rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 23:00 në shtëpinë e prokurorit Berisha në fshatin Gllanasellë të Komunës së Drenasit.
“Me datë 25.04.2018 rreth orës 23:08 ankuesi Ibrahim N. Berisha, prokuror i shtetit, raporton se persona të panjohur ja kanë vjedhur veturën zyrtare e cila ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë sime në fshatin Gllanasellë dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raportin e Policisë.
I kontaktuar përmes telefonit prokurori Berisha ka pranuar se vetura i është vjedhur mbrëmë në oborrin e shtëpisë.
“Po mbrëmë rreth orës 23 ka ndodhur, ende kemi qenë zgjuar dhe i kemi dëgjuar, por nuk kemi arritur me i pa se kah kanë ikur me veturë. E kam njoftuar policinë dhe kanë dalë ne vendin e ngjarjes”, ka thënë prokurori Ibrahim Berisha për Kallxo.com.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore të cilat janë duke u marrë me rastin.
Ndryshe në vitin 2016-të kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi i ishte vjedhur telefoni në shtëpinë e tij.