Gazetar: Lluka Andreev
Partitë më të mëdha promovuan kandidatët e tyre. Listat e plota i promovoi koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërsa bartësit në gjashtë zonat zgjedhore janë Hristijan Mickoski, Vllado Misajllovski, Dragan Kovaçki, Aleksandar Nikoloski, Gjorgija Sajkovski dhe Dafina Stojanoska.
Kundërshtari i Mickoskit në zonën një do të jetë kreu i Social Demokratëve, Dimitar Kovaçevski. Bartësit e listës për LSDM-në janë edhe Oliver Spasovski, Sanja Lukarevska, Venko Filipçe, Jovan Mitreski dhe Sllavjanka Petrovska.
BDI, me koalicionin e saj, nuk zbuloi listat e plota të kandidatëve për deputetë, por i njoftoi bartësit.
Respektivisht, Blerim Bexheti, Sadula Duraku, Sulejman Baki, Enver Husein, Zijadin Sela dhe Ali Ahmeti. Partia informoi sot se Bashkimi Demokratik Boshnjak u bashkua me koalicionin që ata drejtojnë.
Fronti opozitar shqiptar, pra koalicioni “Vlen”, njoftoi se bartësit e listës dhe kandidatët për deputetë do t’i paraqesin nesër.
Më parë, bartësit i paralajmëruan Partia e Majta, e Dimitar Apasievit, koalicioni i udhëhequr nga Partia GROM e Stevçe Jakimovskit, si dhe Lëvizja ZNAM e Maksim Dimitrievskit.
Megjithëse liderja e partisë Alternativa e Re, Danela Arsovska, më parë shpalli listat e kandidatëve në të gjashtë zonat zgjedhore, është e paqartë nëse dhe kur do t’i prezantojë ato. Kohët e fundit ajo njoftoi se do të ishte bartëse e listës në zonën e parë zgjedhore.
Të martën pritet të mbahet edhe seancë e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ku do të shqyrtohen kandidaturat për deputetë. Në seancën e fundit, anëtarët miratuan gjithashtu Udhëzime se si të identifikohet votuesi, në përputhje me të cilat u përcaktua se votuesi do të mund të paraqitej vetëm njëherë në qendrën e votimit për votim në zgjedhjet e dyfishta më 8 maj. Këshilli Zgjedhor do të pyesë domosdoshmërisht qytetarët se për çfarë lloj zgjedhjesh duan të votojnë, dhe qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin nëse do të votojnë vetëm për zgjedhjet presidenciale, vetëm për zgjedhjet parlamentare ose për të dyja. /Alsat.mk