Pronarit të firmës ku përfunduan 2.1 milionë eurot e vjedhura nga Thesari i caktohet masa e ndalimit

Pronari i kompanisë “LDA Group”, Kadri Shala, në të cilën janë transferuar afro 2.1 milionë euro nga Thesari i Kosovës, është vetëdorëzuar në Polici.

I pyetur nga KOHA nëse Shala është vetëdorëzuar, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka bërë të ditur se lidhur me rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare që është paraqitur më 9 tetor, sot është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës një person.

“Sot në Polici të Kosovës është dorëzuar një mashkull kosovar i cili është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do ti ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, thuhet në njoftimin.

Të premten e dytë të tetorit, brenda disa orësh, janë zhdukur 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit. Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK). Janë bërë 4 pagesa në emër të tri projekteve rrugore. 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit janë transferuar në xhirollogarinë e kompanisë me emrin “LDA Group”. Transferet janë bërë në emër të tri projekteve: rruga Zhur – Dragash, rruga Prizren-Prevallë dhe Prishtinë- Mitrovicë.

Ndërmarrja e dyshuar kriminale që zhduku 2 milionë e 77 mijë euro, nga të dhënat e siguruara nga KOHA, ka përfunduar në orën 12 :41 minuta, më 9 tetor 2020, në kohën kur zyrtarët e administratës e kanë orën e pauzës së drekës.

Labinot Gruda, zyrtar financiar tash e 11 vjet në Departamentin e Thesarit, nga fshati Komoran i Drenasit, është arrestuar të martën e kaluar.