Pas gjashtë vjetësh, qëkur janë bërë publike përgjimet e para telefonike nga ajo që u mbiquajt afera “Pronto”, 11 protagonistë të saj do të përballen me drejtësinë. Një ministër, një ish-zëvendësministër, deputetë e ish-deputetë të PDK-së, këshilltarë të Kuvendit të Kosovës, si dhe zyrtarë të tjerë, janë përfshirë në aktakuzën e ngritur këtë të premte nga Prokuroria Speciale, shkruan sot Koha Ditore.
Ata do të gjykohen për veprën penale: shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës në bashkëkryerje. Kjo vepër është e dënueshme prej 6 muajsh deri në 5 vjet.
Të akuzuarit e kanë cilësuar si të pabazuar aktakuzën, kurse opozita dhe shoqëria civile kanë thënë se ajo është e mangët, meqë në mesin e të akuzuarve do të duhej të ishin edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilët po ashtu janë pjesë e përgjimeve në aferën “Pronto”.