Gazetar: Mihajllo Donev
Shkarkimi i kryeprokurorit publik Lupço Kocevski është lënë në pushim – procedura është ndërprerë për shkak të tragjedisë në Koçan, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se në këtë moment prioritet ka hetimi i zjarrit në Koçan, për të cilin prokuroria dhe MPB-ja punojnë së bashku.
“Në këtë moment, duke marrë parasysh gjendjen e ndjeshme në shoqëri, planifikojmë ta ndalojmë këtë procedurë aty ku është, sepse vlerësojmë që prokurorët që janë duke punuar, veçanërisht në rastin që ka ndodhur në Koçan, duhet të punojnë dhe të bëjnë punën e tyre, t’u japim shans të bëjnë punën e tyre”, deklaroi Hristian Mickoski- kryeministër.
Propozimi për shkarkimin e prokurorit republikan erdhi pikërisht nga Qeveria pasi Kocevski u përball me kritika për punën e tij dhe akuza se prokuroria nën komandën e tij nuk ishte funksionale. Kërkesa për shkarkimin e tij ka mbërritur në Këshillin e Prokurorëve Publikë, ku për nesër është caktuar seanca dhe në rend të ditës është pika për shqyrtimin e propozimit për shkarkimin e tij. Kryetarja e Këshillit, Dushica Dimitrievska, në bisedë telefonike për Alsat tha se deri më tani nuk kanë marrë asnjë shkresë nga Qeveria lidhur me tërheqjen e pikës për Kocevskin dhe se nëse mbetet kështu, seanca do të mbahet nesër. Sipas procedurës, pasi Këshilli të përgatisë mendimin për propozimin për shkarkim, Kuvendi ndërmerr veprime i cili me 61 vota mund ta shkarkojë prokurorin e shtetit. /Alsat.mk