Gazetar: Mihailo Donev
Më shpejt arrin dërgesë nga Kina sesa nga Qeveria deri në Këshillin e Prokurorëve Publik, shkruan Alsat.
Propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Kocevski tanimë një javë udhëton nga nga “Ilindenska” numër 2 deri në objektin e Apelit ku dhe ndodhet Këshilli i Prokurorëve. Qeveria pretendon se e ka dërguar, por Këshilli thotë se ende nuk e kanë pranuar.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Qeveria të enjten e ka dërguar propozimin në Këshillin e Prokurorëve Publik”, thonë nga Qeveria.
Por nga ana tjetër, kryetarja e Këshillit të prokurorëve publik, Dushica Dimitrievska, sot në bisedë të shkurtër telefonike për Alsat, tha se prokurorët ende nuk e kanë pranuar propozimin dhe vetëm pasi ta marrin dhe ta shqyrtojnë, do të mund të komentojnë.
Edhe pse ishte Qeveria ajo që e nisi shkarkimin e Kocevskit me akuza të forta se ai ka punuar në mënyrë të njëanshme dhe ka penguar prokurorinë, edhe pas një jave të përgatitjes së propozimit, ende nuk është në tavolinë para prokurorëve.
Javën e kaluar, shpjegimi i Qeverisë ishte se po vepron në përputhje me procedurat e përcaktuara që parashikojnë disa hapa që duhet të ndiqen përpara dërgimit të propozimit, por pa treguar se cilat janë ato.
Në propozimin për shkarkimin e Kocevskit, ndër të tjera thuhet se Kocevski ka zbuluar informacione nga procedurat gjyqësore në kundërshtim me ligjin.
Ndryshe, sipas ligjit, Këshilli tani duhet të japë mendim për propozimin brenda dy javëve, kurse pavarësisht nëse do të jap mendim pozitiv apo negativ, ai do të jetë para deputetëve të cilët do të duhet të votojnë për shkarkimin e prokurorit të shtetit në seancë.
Për shkarkimin e prokurorit publik nevojiten 61 vota “për”. Për momentin nuk përmenden emra se kush mund ta zëvendësojë Kocevskin nëse largohet, por siç ka shkruar më parë Alsat, njëri prej emrave është ai i prokurorit të lartë Jovan Cvetanovski, ndaj të cilit Kocevski ka nisur procedurë disiplinore për shkak se ka bërë gabim të madh profesional, por pa sqaruar se ku ka gabuar Cvetanovski.
Nëse propozohet Cvetanovski, kjo do të thotë se fillimisht duhet të përfundojë procedura disiplinore ndaj tij dhe vetëm atëherë mund të zgjidhet në krye të Prokurorisë së shtetit./ Alsat.mk