Propozimi qeveritar që Azir Aliu të zgjidhet ministër i ardhshëm i Shëndetësisë pas largimit të Arben Taravarit, nesër do të jetë në rend dite në Kuvend

Gazetar: Suad Bajrami

Para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, nesër do të jetë propozimi i Qeverisë për ministrin e ri të Shëndetësisë Azir Aliu, i cili duhet të zëvendësojë Arben Taravarin. Në rend dite, është edhe propozimi për zëvendësministër të Bujqësisë Albrim Hoxha, i cili duhet të vijë në këtë pozicion në vend të Flakron Bexhetit. Në seancën e nesërme, nuk ka të dhëna për pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes, pasi kjo pozitë u lirua me daljen e grupit të Taravarit nga qeveria.

Në biografinë e publikuar për Azir Aliun, thuhet se është doktor i Shkencave Informatike dhe profesor universitar. Aliu ka qenë ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës në periudhën 2023-2024, ndërsa ka ushtruar edhe funksione tjera të larta, mes tjerash dhe këshilltar i kryeministrit për arsim, shkencë dhe teknologji informatike në periudhën 2013-2017.

Nga ana tjetër, Albrim Hoxha që do të ulet në karrigen e zëvendësministrit të Bujqësisë është jurist i diplomuar në degën e gjyqësorit, ndërsa paraprakisht ka punuar si bashkëpunëtor i lartë për administrim dhe pagesë të tatimeve dhe taksave lokale në Komunën e Strugës, gazetar, hulumtues dhe agjent marketingu.

Ndryshimet në ekzekutiv ndodhën pas mosmarrëveshjeve në koalicionin VLEN të cilat kulmuan me largimin e një pjese të Aleancës për Shqiptarët, të udhëhequr nga Arben Taravari. Vendimin, kreu i ASH-së e arsyetoi dhe mbështeti në çështjet etnike duke përmendur Balancerin, por edhe ligjin për përfaqësim të drejtë dhe punësimet etnike nëpër institucione. Megjithatë, pjesa tjetër në krye të së cilës ishin eksponentët Arben Fetai e Azir Aliu nuk u pajtuan me vendimin për të lëshuar qeverinë, pasi sipas tyre kjo bëhet me qëllim për të bashkëpunuar me BDI-në opozitare.

Vendimi, reflektoi edhe në numrat e shumicës parlamentare. Fillimisht Taravari kishte 5 deputetë në kuadër të VLEN-it, por më pas mbeti me 3. Deputetja Mimoza Musa vendosi të qëndrojë me VLEN-in, ndërsa deputeti Salim Sulejmani dha dorëheqje, për të ardhur në vend të tij Valbona Adili Emini, e cila nuk e mbështet Taravarin. VLEN pas daljes së Taravarit nga qeveria ka mbetur me 11 deputetë./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme