“Është koha që Sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës”.
Me këtë apel dhe thirrje për pjesëmarrje masive në manifestimin e 2 marsit e ka nisur ditën e sotme presidenti i vendit, Ilir Meta.
Me një postim në Facebook, teksa poston edhe një video nga emisioni “Opinion”, ku puth kushtetutën më pas ia jep atë Fevziut, Meta thekson se “Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit.”
Postimi i Metës:
Çdo qytetar i vendit tonë duhet të kuptojë se kriza e tmerrshme institucionale, ekonomike e shoqërore, si dhe rritja e pasigurisë për të ardhmen, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga politikanët që për më shumë pushtet i venë kazmën themeleve të shtetit, si përmes ndërhyrjeve të nxituara dhe jo transparente, ashtu edhe përmes bërjes së ligjeve anti-kushtetuese që minojnë sundimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor, siç është bërë traditë sidomos në vitet e fundit.
Është koha që Sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës. Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër.