Protesta e opozitës, Avokati i Popullit në monitorim të plotë! Thirrja për qytetarët: Demonstroni paqësisht për të drejtat tuaj! Ja apeli për Policinë e Shtetit

Avokati i Popullit përmes një njoftimi publik lajmëron se do të jetë në monitorim të plotë të protestës së thirrur nga opozita pasditen e sotme në orën 18:00 përballë Kryeministrisë.


Sipas institucionit, 5 grupe monitorimi do të ndjekin nga afër tubimin, një grup do të monitorojë raportimet e mediave, ndërsa 4 të tjera do të jenë prezentë pas protestës në komisariatet e policisë për të mbikëqyrur respektimin e të drejtave e të gjithë atyre që mund të ndalohen apo shoqërohen.

Fillimisht Avokati i Popullit thekson rëndësinë e protestës si një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Për këtë arsye, institucioni insiston që qytetarët të protestojnë paqësisht për të respektuar të drejtat e tyre por dhe të pranishmëve të tjerë.

Sakaq, një thirrje ka dhe për forcat policore, që të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar standardet e ndërhyrjes së nevojshme për garantimin e sigurisë dhe rendit, pa cenuar të drejtat e qytetarëve.

*Njoftim Publik: Mbi Mbarëvajtjen e Protestës Kombëtare në Tiranë*

Institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të misionit të tij për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, ka marrë masa të veçanta për monitorimin e protestës kombëtare që organizohet sot nga opozita në Tiranë.

Në këtë kuadër, do të qëndrojnë në terren pesë grupe monitorimi, të cilat do të ndjekin nga afër zhvillimet në zonat ku do të realizohet protesta.

Një grup tjetër monitorimi është ngarkuar për të ndjekur raportimet online dhe live të mediave, me qëllim të vlerësimit të saktë të ecurisë së ngjarjeve në kohë reale.

Gjithashtu, katër grupe monitorimi, pas protestës, do të jenë prezent në komisariatet e policisë për të siguruar mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të qytetarëve që mund të ndalohen apo shoqërohen gjatë protestës.

Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe të protestojë paqësisht, pa frikë nga represioni apo dhuna. Në këtë drejtim, apelojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për të siguruar një protestë paqësore, ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve të respektohen plotësisht.

Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve përkatëse që të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar standardet e ndërhyrjes së nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë, pa cënuar të drejtat e qytetarëve.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje protestuesve që të demonstrojnë paqësisht, duke respektuar jo vetëm të drejtat e tyre, por edhe ato të qytetarëve të tjerë. E drejta për protestë duhet të bashkëjetojë me detyrimin për të respektuar rendin dhe sigurinë publike.

Monitorimi i Avokatit të Popullit do të jetë i pandërprerë deri në përfundimin e plotë të protestës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme