Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit i shtuan masat e sigurisë të premten për të mbrojtur komunitetet hebraike dhe myslimane mes protestave globale lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, ndërsa mijëra demonstrues pro-palestinezë mbushën rrugët e qytetit të Nju Jorkut.
Turma protestuesish u mblodhën pranë sheshit Times Square në Manhattan, duke kërkuar pavarësinë e territoreve palestineze dhe duke dënuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa qeveria e tij intensifikoi sulmet në Rripin e Gazës në hakmarrje për valën e mizorive të befasishme nga luftëtarët e Hamasit në Izrael.
Shumë nga protestuesit mbanin maska për të fshehur identitetin e tyre, për siç thanë ata, për të mbrojtur sigurinë e tyre.
Ditët e fundit Izraeli ka intensifikuar sulmet në Gaza në përgjigje të sulmeve në Izraelin jugor fundjavën e kaluar nga persona të armatosur nga grupi militant Hamas i mbështetur nga Irani, i cili sundon enklavën që Izraeli e pushtoi nga Egjipti në vitin 1967.
Sulmi i Hamasit vrau të paktën 1300 izraelitë, duke shënuar goditjen më vdekjeprurëse palestineze ndaj shtetit hebre në histori.
Izraeli ka vrarë të paktën 1,900 palestinezë në sulmet ajrore ndaj Gazës ndërsa u ka kërkuar më shumë se 1 milion banorëve që të largohen nga pjesa veriore e enklavës brenda 24 orësh përpara një tjetër sulmi madhor.
Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët e sigurisë kombëtare u takuan në Shtëpinë e Bardhë të premten për të diskutuar përgatitjet për mbrojtjen e komuniteteve hebraike dhe myslimane në të gjithë vendin, si dhe objektet diplomatike në Uashington dhe qytetet ku ndodhen konsullatat izraelite, përfshirë Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin.
“Për momentin, asnjë nga agjencitë tona të zbulimi nuk ka ndonjë të dhënë specifike për kërcënime në Shtetet e Bashkuara që lidhet me sulmin terrorist të Hamasit në Izrael”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby. “Ne vazhdojmë të mbetemi vigjilentë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm”.
Policia e qytetit të Nju Jorkut ishte në gatishmëri të lartë, duke mbajtur një profil shumë të dukshëm gjatë tubimit të zhurmshëm por paqësor në sheshin Times Square, ndërsa mijëra bërtisnin, u binin daulleve dhe valëvitnin flamuj dhe pankarta palestineze./ VOA
© SYRI.net