Protesta në Shkup, kërkohet drejtësi në rastin e Almirit

Mijëra qytetarë u tubuan të mërkurën para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Shkup, për të protestuar kundër, siç thanë ata, “drejtësisë së kalbur” e cila para syve të opinionit vrasjen e Almirit të vogël e rikualifikoi në aksident trafiku”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në emër të protestuesve të tubuar përmes rrjeteve sociale, me moton “Pranverë pa Drejtësi”, para masës së tubuar foli Diana Tahiri e cila tha se rasti i Almirit do të gjykohet në mënyrë të drejtë dhe ligjore, vetëm nëse procedura gjyqësore nis nga fillimi dhe të njëjtën do ta udhëheqin prokurorë profesionistë, të paanshëm dhe të pakorruptuar, dhe të njëjtit të mos jenë nga Kumanova.

Ajo tha se organizatori i protestës do të parashtron kallëzime penale kundër prokurores, gjykatësve dhe neuropsikiatërve të cilët kanë punuar në rastin në fjalë.

“Do të parashtrojmë kallëzime penale kundër prokurores Publike Suzana Kusigerska, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, lëshime të shumta në procedurë dhe mosprezantim të qëllimshëm të fakteve dhe dëshmive për të cilat dëshmoi i tërë opinioni dhe që rezultoi me rikualifikimin e veprës nga vrasje, në vepër penale serioze në trafik”, tha Tahiri.

Ajo shtoi se kërkojnë përgjegjësi edhe nga prof.dr Branisllav Stefanovski, neuropsikiatër dhe asistentes Zoja Babinovska për kryerjen e ekspertizës në kundërshtim me ligjin për ekspertizë, si dhe shkarkim të prokurores publike, Teuta Bediu Ramadani që refuzoi kërkesën për largimin nga rasti të prokurores Kusigerska si dhe shkarkimin e gjithë prokurorëve publik në Kolegjiumin e Prokurorisë Publike të Maqedonisë, përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, Ljubomir Jovevski.

Në mesin e protestuesve, ishte edhe nëna e Almirit, Mixhevere Kasumi, bashkë më fëmijët e saj, dhe familjarë të tjerë. Ajo tha se përkundër dhimbjes që bart me vete, mblodhi fuqi për të ardhur në Shkup, në kërkim të drejtësisë për të birin e saj të vrarë.

“Nuk jam këtu vetëm për Almrin tim, por për të gjithë fëmijët që rrezikohen nga ai kriminel (Boban Iliç) të cilin shteti po e lë të lirë. Almiri nuk do të kthehet, por të paktën fëmijët e juaj të jetojnë të lirë”, tha nëna e Almirit.

Protesta e sotme u mbështet edhe nga partitë politike shqiptare, përfaqësues të të cilave ishin në mesin e qytetarëve të tubuar.

Almir Aliu dy vjet më parë ndërroi jetë si pasojë e goditjes me automjet pas një zënke banale mes prindërit të tij dhe të akuzuarit për vrasjen, Boban Iliq. Aksidenti ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 ndërsa Almiri i cili kaloi rreth një javë në kujdes intensiv ndërroi jetë më 2 korrik në klinikën e Shkupit.

Ngjarja në atë kohë shkaktoi reagime të shumta, veçanërisht në rrjetet sociale ku vëreheshin komente të shumta që kërkonin drejtësi për Almirin si dhe thirrje për protesta.

Pas rikualifikimit të lëndës, gjykata vendosi që Boban Iliç të gjykohet në liri për veprën “aksident komunikacion me pasojë vdekjen”. Ndërkaq, mbrëmë ministri i Drejtësisë së Maqedonisë, Bilen Saliji, ka dhënë dorëheqje nga posti për shkaqe morale që lidhen me rastin e Almir Aliut, siç tha ai, lëkundjes së besimit në sistemin gjyqësor lidhur me vendimin e prokurorit publik për të rikualifikuar aktakuzën në fjalë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme