Pas protestave 3-ditore të qytetarëve në mbarë vendin kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të tjera, paraditen e sotme radhën e kanë pasur taksistët e të gjithë Shqipërisë, të cilët janë mbledhur para Kryeministrisë.
Ata kanë tre kërkesa për qeverinë pasi thonë se rritja e çmimit të naftës i ka detyruar të rrisin koston për qytetarët.
Taksistët shprehen se kanë që prej vitit 2009 që operojnë me të njëjtat çmime edhe pse kostoja e naftës ka pësuar rritje nga viti në vit.
Një tjetër problematikë që ngrenë ata është konkurrenca e pandershme pasi shprehen se kushdo që ka makinë mund të dalë dhe të punojë taksi.
Kërkesat e takistëve:
“Të nderuar kolegë. Sindikata e taksive sot organizon një protestë qytetare. Të respektojmë rregullat dhe ligjet që qëllimi jonë të arrihet deri në fund.
Pika e parë është ngritja e karburanteve. Kemi kërkuar dhe kërkojmë duke qenë se në kohën e pandemisë ne na dhanë 26 mijë lekë për tre muaj. Ne po shërbejmë 24 orë në 24. Nafta është më e shtrenjtë. Ne detyrohemi të ngremë çmimet. Ne që në vitin 2009 ne nuk kemi ngritur çmimet.
Pika e dytë është anulimi i udhëzimit të vitit të vitit 2009 ku thuhet se liberalizimi i licencës taxi 4+1. Kushdo mund të blejë makinë dhe të punojë taksi. Në Tiranë ka mbi 2000 taksi. Nuk ka punë. Ka rënë puna për të gjithë taksitë. Plus trafiku që është shumë i rënduar.
E treta është heqja e pikës 11 për taksitë. Na kërkohen rezervim sikur ne jemi autobusë. Ne mund ta dërgojmë një në Durrës dhe të kthehemi bosh. Ne kemi hasur vështirësi me policinë edhe kur jemi me familjet tona.
Sot është rritur çmimi sepse është rritur nafta. Unë do njoftoj kolegët e mi sepse nga dje deri në sot qytetarit taksist i duhen 10 mijë lekë më shumë. Taksitë paguajnë taksa, sigurime”, shprehen ata.
Shoferët e autobusëve të shkollave në Fier në protestë: Do fikim makinat të martën!
Në protesta janë ngritur gjithashtu edhe shoferët e autobusëve të shkollave në Fier, të cilët kanë paralajmëruar bojkot nëse bashkia nuk u siguron një zgjedhje.
Ata njoftuan gjithashtu se, të martën do të fikin automjetet dhe nuk do të dërgojnë asnjë fëmijë në shkollë.
Sipas tyre, kanë aplikuar për autorizme për t’u futur në qytetet në orare të caktuara, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Nuk lejohen autobusat e nxënësve. Kanë muaj na janë qepur, nuk thonë çfarë problemi kanë. Ne punojmë me të keq, me gjoba, ditë për ditë. Të martën nuk del asnjë makinë në rrugë. Bëhet fjalë për të paktën 100 shoferë nga ndërmarrje të ndryshme që kërkojnë zgjidhje. Duam orar që kur të marrim nxënësit të hyjmë e të dalim në qytet. Nuk na sqarojnë, vetëm vendosin gjoba. S’kemi asnjë përgjigje. Po na rëndon nafta, por edhe këta.”, shprehen ata.





