Nga flamujt me ylber e deri te flamujt e perandorisë. Nga thirrjet për largimin e Angela Merkel deri te pankartat: “Nuk ka koronavirus”.
Rrugët e Berlinit u ‘pushtuan’ dje nga një protestë që habiti Europën. Në mesin e pandemisë, dhjetëra mijëra njerëz dolën në shesh në atë që gazeta BILD e quan ‘protesta më e çmendur në Gjermani’.
Policia thotë se në rrugë dolën të paktën 20 mijë njerëz, në një përzierje mesazhesh. Motoja e kësaj proteste ishte: “Fundi i pandemisë- Dita e Lirisë”.
Shumë prej të pranishmëve janë kundër vaksinimit. Të tjerë mendojnë se vaksina është një shpikje e qëllimshme për t’u injektuar njerëzve një cip.
Gazeta BILD shkruan se protestuesit akuzojnë se ky është një gjenocid botëror nga bankierët e famshëm Rothschilds, që duan të prezantojnë një kriptomonedhë me çipat që do futen përmes vaksinës.
Asnjë nuk dukej i shqetësuar për masat e distancimit. Madje disa hodhën pankarta ironizuese: “Ne jemi vala e dytë”.
Megjithatë, virologu i njohur gjerman, Jonas Schimdt-Chanasit mendon se kjo protestë do prodhojë shumë raste me virus: “Ata bërtisnin shumë”, tha ai, duke shtuar se kjo shton mundësinë e infektimit.