Konflikti i armatosur mes Izraelit dhe Palestinës nxiti protesta në vende të tjera të botës.
Mijëra njerëz u mblodhën këtë të shtunë në qendër të Londrës për të shprehur solidaritetin e tyre me popullin palestinez , duke i bërë thirrje qeverisë britanike të ndërhyjë për t’i dhënë fund operacionit ushtarak izraelit.
Protestuesit u drejtuan për në ambasadën izraelite, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe pankarta me parulla në favor të “çlirimit” të Palestinën.
“Qeveria britanike duhet të marrë masa të menjëhershme. Ne nuk duhet të lejojmë që dhuna ndaj popullit palestinez dhe shtypja nga Izraeli të mbetet pa u ndëshkuar”, thanë protestuesit.
Rreth 2.500 njerëz u ngritën në protest në mbrojtje të palestinezëve edhe në Madrid.
“Nuk është një luftë, është një gjenocid”, bërtisnin qytetarët.
Shumë të rinj ishin mbështjellë me flamurin palestinez.
“Ne duam t’i kërkojmë Spanjës dhe autoriteteve evropiane të mos bashkëpunojnë me Izraelin sepse ata po kontribuojnë me heshtjen e tyre”, tha Iklas Aboussouyan, 25 vjeç.
Nga ana tjetër, në Paris policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, që po ashtu ishin mbledhur për të treguar mbështetjen për Palestinën. Frika e autoritetetve ishte se kjo protest mund të shkaktonte incidente.
Qindra njerëz morën pjesë gjithashtu në demonstrata të autorizuara nga autoritetet në qytete të tjera franceze, përfshirë Lion dhe Marsejë.